Kievi: Presim një sulm të madh më 24 shkurt

Nata e djeshme ka rritur edhe më tej tensionin në Ukrainë, si dhe dyshimet se vala e dytë e shumë përmendur e Moskës po afron gjithmonë e më shumë.

Alarme ajrore kanë përfshirë pothuajse çdo qytet të Ukrainës, edhe ato më larg nga epiqendra e konfliktit, rajonet e Luhanskut dhe Donjeskut.

Shpërthime dhe sulme ndaj infrastrukturave janë regjistruar kudo, nga qyteti më i rëndësishëm i pjesës perëndimore, Lviv, por edhe në zonën qendrore të Poltavës, ndërkohë që alarme pati edhe në kryeqytetin Kiev, ku disa balona, të përdorura për spiunazh nga rusët u rrëzuan nga përgjigja kundërajrore ukrainase.

Ndërkohë, duket se mund të jetë pikërisht 24 shkurti që kujton fillimet e operacioneve ruse në Ukrainë që mund të shënojnë edhe fillimin e valës së dytë të konfliktit. Këtë e pohon edhe Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit Kombëtar për Sigurinë.

Prej javësh, analistët përmes pamjeve satelitorë kanë pikasur një rritje domethënëse të mjeteve ushtarake ruse në kufi me Ukrainën, ndërkohë që numri i ushtarëve të Moskës në fushëbetejë kalon tashmë 360 mijë personat.