Ukraina do të marrë një paketë mbështetjeje prej mbi 220 milionë eurove nga Evropa

Aftësia mbrojtëse e Ukrainës do të rritet përmes një fondi ndërkombëtar prej shumë milionë eurosh, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Kjo e fundit dhe vendet e tjera evropiane kanë rënë dakord për një paketë fillestare të mbështetjes me vlerë më shumë se 224 milionë eurove, raporton skynews.

Ministri i Mbrojtjes, Ben Wallace deklaroi sot se “kjo paketë pajisjesh do të sigurojë një rritje të konsiderueshme të aftësive për forcat e armatosura të ukrainasve dhe do të mbështesë aftësinë e tyre për të mbrojtur vendin e tyre”.

Kjo paketë e parë do të përfshijë municione dhe pjesë rezervë tankesh, si dhe pajisje për vëzhgim dhe zbulim.

Disa vende kanë kontribuar në Fondin Ndërkombëtar të udhëhequr nga britanikët për ukrainasit, duke përfshirë Holandën, Suedinë dhe Danimarkën.

Islanda dhe Lituania kanë mbështetur gjithashtu fondin, i cili deri më tani ka arritur në 584 milionë euro.