(Ç)bisedë me hijen time!
Nëse të pyesin rrugët e vjetra,
Parqet, zogjtë, krojet e ftohtë:
Ku jam, ku mbeta, kam varr a s’kam!
Harro mendime, kode të fshehtë
Lëre më mirë të flasë heshtja…
Nëse të pyesin autostradat,
Plazhet, pyjet, restorantet:
Shtiru se merr në telefon
Dhe thuaj makina e la diku,
Bëni kafetë se vjen më vonë…
Veç kur të pyesin poezitë,
Kitara, këngët, dashuritë,
Këtu më mirë vet ti vendos
Se cilën maskë do t’u tregosh!..