Mbi 600 të vdekur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë jugore dhe Sirinë

Më shumë se 600 të vdekur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë jugore dhe Sirinë

Në Turqi, të paktën 284 njerëz vdiqën pas tërmetit të fuqishëm dhe më shumë se 2 mijë e 300 u plagosën, sipas zëvendëspresidentit Fuat Oktay. Në Sirinë fqinje, të paktën 386 njerëz vdiqën, duke përfshirë 239 kryesisht në rajonet e Alepo, Hama, Latakia dhe Tartus, raportoi TV shtetëror sirian.

10:31 – Krasniqi pas tërmetit në Turqi: Ndajmë dhimbjen me shtetin dhe popullin turk

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka shprehur ngushëllime për popullin turk pas tërmetit në Turqi.

Krasniqi u shpreh se ndajmë dhembjen me shtetin dhe popullin turk, përcjell Klankosova.tv.

“Mëngjesi i sotëm na gjeti me lajmin e hidhur që vjen nga Turqia, ku si pasojë e një tërmeti të fuqishëm kanë humbur jetën qindra qytetarë dhe qindra të tjerë kanë mbetur të lënduar, ndërsa fshatra e qytete të shumta kanë pësuar dëme të paimagjinueshme”.

“Në këto momente të vështira dhe tragjike, ndajmë dhimbjen me shtetin dhe popullin turk. Presidentit Erdogan dhe të gjitha familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre, u dërgoj ngushëllimet më të sinqerta. Populli i Kosovës është me ta në këtë periudhë të rëndë”, ka shkruar Krasniqi.

10:24 – Kurti ngushëllon Turqinë dhe Sirinë për viktimat e tërmetit: Kosova e gatshme të ndihmojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Twitter ka ngushëlluar Turqinë dhe Sirinë për viktimat e tërmetit.

Kurti u shpreh shpreh se Kosova është e gatshme të ndihmojë në këtë moment të vështirë, përcjell Klankosova.tv.

“Në vazhdën e tërmetit shkatërrues të mëngjesit të sotëm, shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta për popullin e Turqisë dhe Sirisë, për familjet e viktimave dhe për ata që mbetën papritmas pa shtëpi. Republika e Kosovës është e gatshme të ndihmojë në këtë moment të vështirë”, ka shkruar Kurti.

09:44 – Tërmeti në Turqi dhe Siri, Begaj: Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllime për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri.

Begaj tha se qëndrojnë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi, përcjell Klankosova.tv.

“I pikëlluar thellësisht nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë këtë mëngjes. Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi, duke shprehur ngushëllimet, mendimet dhe lutjet tona të sinqerta për ta”, ka shkruar Begaj në Twitter.

09:17 – Qeveria e Kosovës ngushëllon Turqinë dhe Sirinë për viktimat e tërmetit

Qeveria e Kosovës ka shprehur ngushëllime për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri.

Në deklaratën e qeverisë thuhet se populli i Kosoëvës në këto çaste të vështira janë në gatishmërinë më të lartë për mbështetje dhe solidaritet, përcjell Klankosova.tv.

“Me dhimbje të madhe morëm lajmin për tërmetin që goditi Turqinë dhe Sirinë, ku humbën jetën shumë qytetarë dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale. Raportet e para tregojnë për pasoja jashtëzakonisht të mëdha në njerëz dhe në objekte banimi”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave të tërmetit. Shpresojmë që në orët në vijim të mos rritet numri i viktimave dhe të lënduarve u urojmë shërim. Republika e Kosovës dhe populli i Kosovës në këto çaste të vështira janë në gatishmërinë më të lartë për mbështetje dhe solidaritet. Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara do të vazhdojë të marrë informatat nga autoritetet vendore në Republikën e Turqisë nëse në qytetet e goditura kemi shtetas tanë dhe t’u ofrojë mbështetjen e nevojshme”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

09:14 – Tërmeti në Turqi, ambasada publikon numrat emergjentë për qytetarët e Kosovës

Një tërmet i fuqishëm e ka goditur Turqinë orët e para të së hënës.

Tërmeti i shkallës 7.9 ballë ka prekur edhe Sirinë.

Si pasojë deri më tani raportohet se kanë vdekur mbi 500 persona në dyja vendet.

Me këtë rast Ambasada e Kosovës në Ankara ka publikuar numrat emergjentë për qytetarët tanë.

“Për raste emergjente nga zonat e prekura nga tërmeti, luten qytetarët tanë të kontaktojnë në numrat emergjentë:
Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99
Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91”, thuhet në njoftim përcjell Klankosova.tv

09:10 – Amerika e gatshme t’i ndihmojë Turqisë pas tërmetit tragjik

Pas tërmetit në Turqi, Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një deklaratë duke thënë se presidenti amerikan, Joe Biden ka udhëzuar qeverinë federale që të përgatisë ndihmën amerikane.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, është shprehur se ShBA-ja është e shqetësuar pas raportimeve për tërmetin që ka ndodhur në Turqi e Siri, shkruan Thë Guardian, transmeton Klankosova.tv.

“ShBA-ja është thellësisht e shqetësuar nga raportimet për tërmetin e sotëm shkatërrues në Turqi dhe Siri. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë çdo ndihmë të nevojshme. Presidenti Biden ka udhëzuar USAID-in dhe partnerët e tjerë të qeverisë federale që të vlerësojnë opsionet e reagimit të ShBA-së për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti”, thuhet në deklaratë.

09:02 – Mehaj: FSK e gatshme për ta ndihmuar Turqinë

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ka reaguar pas tërmetit të fuqishëm që goditur Turqinë.

Mehaj u shpreh se Forca e Sigurisë është e gatshme për t’i ofruar ndihmë shtetit turk.

“Ministrit Akar i shprehim gatishmërinë tonë të plotë që të ofrojmë ndihmë me të gjitha kapacitet tona profesionale për reagim, kërkim-shpëtim dhe rimëkëmbje në zonat e prekura. Urojmë që numri i viktimave dhe dëmeve të jetë sa më i vogël, ndërsa familjeve të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta”, tha Mehaj.

08:59 – Haradinaj pas tërmetit në Turqi: I propozoj Qeverisë ndarjen e një fondi emergjent për ofrimin e ndihmave të nevojshme

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur i prekur nga ngjarjet tragjike pas tërmetit të fuqishëm që goditi sot Turqinë.

Përmes një statusi në Facebook, Haradinaj i ka propozuar Qeverisë ndarjen e një fondi emergjent për ofrimin e ndihmave të nevojshme humanitare.

“I prekur thellë nga ngjarjet tragjike pas tërmetit të fuqishëm që goditi sot Turqinë. Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të plagosurit. Në këto rrethana të vështira për popullin e Turqisë, lutemi që kjo gjendje të kalojë me sa më pak viktima dhe me sa më pak dëme! I propozoj Qeverisë së Kosovës ndarjen e një fondi emergjent për ofrimin e ndihmave të nevojshme humanitare dhe ofrimin e ndihmës së njësive operacionale nga FSK-ja”, ka shkruar Haradinaj.

08:54 – Kamerat e sigurisë kapin momentin kur Turqia u godit nga tërmeti vdekjeprurës (VIDEO)

Momenti kur tërmeti vdekjeprurës goditi Turqinë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm është kapur nga kamerat e sigurisë.

Më shumë se 500 njerëz kanë vdekur në Turqi dhe Siri pas tërmetit.

Ky mund të jetë tërmeti më i madh i Turqisë, ka thënë Stephen Hicks, sizmolog në University College London, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv

Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe operacioni i shpëtimit mund të pengohet nga moti i ligë.

08: 46 – Zelensky: Ukraina e gatshme të ofrojë ndihmë pas tërmetit në Turqi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij është i gatshëm që të ofrojë ndihmën e nevojshme për popullin turk pas tërmetit që goditi vendin të hënën, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Përmes një postimi në Twitter, Zelensky tha se është i tronditur nga lajmi për vdekjen dhe plagosjen e qindra personave si pasojë e tërmetit në Turqi.

“I shprehim ngushëllimet tona familjeve të viktimave dhe i urojmë të lënduarve shërim të shpejtë. Ne jemi në këtë moment pranë popullit mik turk, të gatshëm për të ofruar ndihmën e nevojshme”, ka thënë ai.

08:39 – Tërmeti në Turqi dhe Siri, mbi 500 të vdekur

Më shumë se 500 njerëz vdiqën në dy vende pasi një nga tërmetet më të fortë që goditi Turqinë në më shumë se 100 vjet, shkaktoi lëkundje në të gjithë rajonin, duke shembur ndërtesa dhe duke i bërë banorët të vrapojnë në rrugë.

Tërmeti me magnitudë 7.8 goditi pak pas orës 4 të mëngjesit të së hënës sipas kohës lokale, 23 kilometra (në lindje të Nurdagi, provincën Gaziantep, në një thellësi prej 24.1 kilometrash (14.9 milje), tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS). Nurdagi ndodhet përgjatë kufirit Turqi-Siri dhe tërmeti u ndje në disa vende të rajonit, duke përfshirë Sirinë dhe Libanin, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Në Turqi, të paktën 284 njerëz u vranë dhe më shumë se 2 mijë e 300 u lënduan sipas nënpresidentit Fuat Oktay. Në Sirinë fqinje, të paktën 237 njerëz vdiqën dhe më shumë se 630 u lënduan, njoftoi agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA duke cituar një zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.

Vdekjet u raportuan në Aleppo, Latakia, Hama dhe Tartus.

Në linkun më poshtë mund të gjeni video nga tërmeti:

https://edition.cnn.com/2023/02/05/europe/earthquake-hits-turkey-intl-hnk/index.html

08:29 – Tërmeti në Turqi, numri i viktimave arrin në 284

Ka arritur në 284 numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë.

Kjo u bë e ditur nga zëvendëspresidenti turk, Fuat Okay.

Oktay bëri të ditur se po ashtu janë lënduar edhe 2 mijë e 323 persona, shkruan Washingtonpost përcjell Klankosova.tv

Shkalla e tërmetit që tronditi shtetin turk ishte 7.9 ballë.

Epiqendra e këtij tërmeti ishte në Gaziantep, por që u ndje edhe në Siri, duke shkaktuar edhe atje viktima.

Zëvendësministri sirian i Shëndetësisë, deklaroi se si pasojë e tërmetit atje kanë vdekur 237 persona dhe janë lënduar 637 persona.

08:10 – Shkon në mbi 200 numri i të vdekurve nga tërmeti që goditi Turqinë

Mbi 300 persona e kanë humbur jetën si pasojë e një tërmeti të fuqishëm që ka goditur Turqinë dhe Sirinë.

Tërmet prej 7.8 ballësh tronditi Turqinë juglindore në orët e para të së hënës.

Sipas CNN, vetëm në shtetin turk janë shënuar deri më tani 76 viktima dhe mbi 440 të plagosur, derisa në Siri janë kanë vdekur mbi 237 persona derisa janë 637 të plagosur, përcjell Klankosova.tv.

Po ashtu raportohet se shumë persona kanë mbetur ndër rrënoja.

Epiqendra e tërmet ka qenë në Gaziantep, përcjell Klankosova.tv/Klankosova.tv

06:33 – Erdogan reagon pas tërmetit: Shpresojmë ta tejkalojmë këtë fatkeqësi

Pas tërmetit të fuqishëm që tronditi Turqinë ka reaguar presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan tha se ekipet e shpëtimi po bëjnë gjithçka për ta përballuar situatën.

“Shpresojmë që së bashku ta kalojmë këtë fatkeqësi sa më shpejt dhe me sa më pak dëme dhe të vazhdojmë punën tonë”, tha Erdogan.

06:22 – Raportohet për dhjetëra të vdekur pas tërmetit të fuqishëm në Turqi

Një tërmet i fuqishëm prej 7.8 shkallë e ka goditur Turqinë.

Sipas CNN 17 persona raportohet se kanë vdekur si pasojë e këtij tërmeti.

Epiqendra e këtij tërmeti llogaritet të jetë 23 kilomtera në lindje të Nurdagit, në provincën e Gaziantep, raporton Shërbimi Gjeologjik i SHBA-ve, përcjell Klankosova.tv.

Pas tërmetit të fuqishëm ka pasur edhe pasgoditje në Turqinë jugore dhe qendrore.

Rreth 11 minuta pas goditjes së tërmetit kryesor, pasgoditja më e fortë prej 6.7 ballë ndodhi rreth 32 kilometra në veriperëndim të epiqendrës së tërmetit kryesor.

Një tjetër goditje e fortë me magnitudë 5.6 ka ndodhur 19 minuta pas tërmetit kryesor.

Nga ky tërmet që tronditi shtetin turk, u prekën edhe Siria dhe Libani.

Si pasojë, në Siri vdiqën 42 persona dhe u lënduan mbi 200 të tjerë, shkruan CNN