Hamdi bej Ohri (04.02.1872-24.11.1938)
Hamdi bej Ohri, i biri i Lumanit, lindi në qytetin e Ohrit, më 4 shkurt të vitit 1872. I përket familjes së dëgjuar të atdhetarit Iljaz Pashë Dibrës-Qokut. Pasi kreu shkollën Ruzhdije në Manastir, për dy vite shkollore vazhdoi mësimet në gjimnazin ushtarak të Stambollit. Në vitin e tretë u shkëput nga shkolla dhe filloi të merret me aktivitete në Lëvizjen Kombëtare.
U lidhe dhe zhvilloi aktivitete kombëtare me Naim Frashërin, Dr.Ibrahim Temon, Çerçiz Topullin, Dervish Himën dhe Bexhet Bektashin.
Afshi i zjarrtë i atdhetarisë mori hov tek Hamdi bej Ohri, sepse në dejt e tij vlonte gjaku i kulluar i gjyshit të tij, Iljaz Pashë Dibrës, i cili ishte një nga shtyllat më të forta të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në vitin 1897 ai e hapi shkollën shqipe në Ohër, në ambientet e shtëpisë së tij, me mësues Hajdar Blloshmin nga Starova. Autoritetet pushtuese osmane “lëshuan fermanin” për arrestimin e tyre dhe mbylljen e kësaj shkolle. Hamdi bej Ohri burgoset dhe dënohet me 5 vjet burg. Edhe gjatë vuajtjes së dënimit me burg, ai jepte mësimin e gjuhës shqipe. Pas protestave të shumta të atdhetarëve në Stamboll, Manastir, Dibër e Ohër, ai u lirua nga burgu më 1899.
Gjatë vitit 1899, pas daljes nga burgu, Hamdi bej Ohri, zhvilloi një veprimtari të dendur në mbështetje të Lidhjes Shqiptare të Pejës.
Në vitin 1900, u kthye në Ohër ku bashkëpunoi me Sotir Kolenë në hartimin e një fjalori të gjuhës shqipe, i cili më vonë u zhduk.
Në vjeshtën e vitit 1900 ushtoi për në Elbasan, Tiranë, mat e Dibër ku u takua me atdhetarët shqiptar. Pas takimit në Dibër, Porta e Lartë urdhëroi arrestimin e tij dhe e dënuan me burg. Pas dy vjet vuajtjeje në burg, me ndihmën e atdhetarëve, Sulltani e liroi nga vuajtja e mëtejme në burg.
Në vitin 1902, së bashku me Ismail Qemalin, Ibrahim Temon, Dervish Himën, Hoxhë Kadriun, J.Erebarën shkuan në Paris ku morën pjesë në Kongresin e xhonturqëve. Në vitin 1909, në cilësinë e delegatit të Ohrit ishin në KOngresin e Elbansanit dhe hapjes së shkollës normale. Në nëntor të vitit 1912, përfaqsoi Strugën e Ohrin në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Pas izolimit të plotë të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe dorëheqjes së detyruar të Ismail Qemalit, më 22 janar të vitit 1914, Hamdi bej Ohri, u tërhoq tërësisht nga jeta politike.
Vdiq në Tiranë më 24 nëntor të vitit 1938. Në fjalimin që e mbajti mbi varrin e tij atdhetari Xhafer Zelka, mes tjerash ka thënë: “ U bashkua me të vdekurit tonë të pavdekshëm, mbas një lufte të gjatë për triumfin e idealit kombëtar” (shkruan gazeta “Drita” nr.334 e datës 1 dhjetor 1938).