Ukraina sanksionon 185 kompani dhe individë që mbështesin Moskën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka sanksionuar 185 kompani dhe individë, të cilët kanë mbështetur direkt ose indirekt luftën ruse në Ukrainë, e cila vazhdon prej një viti.

“Kompanitë dhe biznesmenët që transportojnë personel dhe pajisje ushtarake, përmes linjës hekurudhore në emër të shtetit agresor do të ndëshkohen”, tha Zelensky gjatë një fjalimi.

Ai shtoi se prona e konfiskuar do të përdoret për të mirën e mbrojtjes së Ukrainës në luftë. Lista e të sanksionuarve përfshin 185 kompani, përfshirë ato bjelloruse që ndihmojnë Rusinë me dërgesat dhe tre individë.

Zelensky tha gjithashtu se Ukraina po punon për të siguruar që vendet e tjera të bllokojnë gjithashtu asetet e këtyre kompanive dhe individëve. Ai falënderoi gjithashtu “të gjithë ata që ndihmojnë në forcimin e sanksioneve kundër Rusisë”, si dhe hetuesit që zbulojnë dhe ndjekin penalisht ata që shmangin sanksionet.

“Në qytetin Kostiantynika në rajonin e Donetskut, sulmet me raketa ruse mbi ndërtesat kolektive, të shtunën vranë tre persona dhe plagosën 14 tjerë”, shtoi Zelensky.

Duke folur për perspektivën e ndihmës ushtarake nga Perëndimi, presidenti theksoi se Ukrainës i duhen urgjentisht raketa me rreze më të gjatë për të zmbrapsur sulmet ruse.