Ambasadorja amerikane në vend, Angela Aggeler, në një intervistë për “Telma” ka deklaruar se beson se ky vend është i gatshëm t’i përgjigjet detyrës, edhe pse i duhet të marrë vendime të vështira në rrugën drejt BE-së.
Ajo foli edhe për ndryshimet kushtetuese që janë të rëndësishme që Maqedonia e Veriut të ecë përpara.
Ambasadorja e përshëndeti lëvizjen e ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Bujar Osmani, i cili shkoi për të biseduar me autoritetet në Sofje.
“Udhëheqësit nga të dyja anët e kufirit mund të diskutojnë me qetësi”, tha ajo.
Ajo thotë se në muajt në vijim do të publikohen disa emra, pra do të ketë një listë të zezë.
Aggeler u bëri thirrje qytetarëve për durim dhe shtoi se nuk do të jetë vetëm një listë, por do të jetë një proces që do të zgjasë.
Sa i përket Kosovës, ajo thotë se situata është shqetësuese. Ambasadorja tha se liderët e Serbisë dhe Kosovës duhet të praktikojnë dialogun.
Lidhur me kritikat e politikanëve ndaj mediave, Aggeler tha se gazetarët duhet të kritikojnë, por nuk duhet të jetë sulm ndaj individëve.