Rritja e paralajmëruar e pagës minimale në pranverë do të barazojë pagat në shumë veprimtari. Paga minimale në muajin mars duhet të jetë pak mbi 21 mijë denarë, kështu që sipas vlerësimeve, të punësuarit nga profesione të ndryshme do të kenë përafërsisht të njëjtën pagë. Që të mos ndodhë kjo dhe të ketë revoltë te punëtorët, është e nevojshme që rritjen ta ndjekë edhe pjesa tjetër e pagave. Autoritetet thonë se këtu nuk mund të reagojnë dhe e lënë këtë në marrëveshjen mes punëdhënësit dhe punëtorit.
“Nuk guxon të ketë pagë më të ulët se paga minimale. Gjithçka tjetër është marrëveshje mes punëdhënësit dhe punëtorit”, tha Jovana Trençevska Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Në Ligjin për pagën minimale është neni 8-a ku thuhet se punëdhënësit në afat prej gjashtë muajsh janë të obliguar t’i rrisin pagat tjera pas rritjes së pagës minimale, por ministrja Trençevska thotë se ky nen ka qenë i vlefshëm vetëm në vitin 2012 kur është miratuar zgjidhja ligjore dhe nuk vlen më shumë. Profesori i së drejtës së punës, Lazar Jovevski thotë për Alsat se rregullat e lojës mund të ndryshohen lehtësisht nëse autoritetet konsiderojnë se zgjidhja ligjore nuk vlen më. Ligjvënësit duhet të marrin masa për të parandaluar kaosin në sektorin privat, shton profesori.
“Shikojeni përmbajtjen e atij neni 8, për çfarë është ai. Dhe nëse e interpretojmë kështu, vërtet mendoj se… a duam të dëgjojmë atë që na përshtatet, apo duam të dëgjojmë të vërtetën“, tha Lazar Jovevski, profesor universitar.
Sektori privat është i vendosur se nuk e ka problem rritjen e pagës minimale, por do të ketë vështirësi në sigurimin e mjeteve për pjesën tjetër të pagave.
“Ngushtohet shumë dallimi mes atyre që punojnë për pagën minimale dhe atij të radhës, dhe tani duhet t’ia rrisim rrogën tjetrit, edhe atij të radhës, edhe atij të radhës, dhe kjo tashmë i bën shpenzimet shumë më të larta për kompanitë se ato për pagën minimale”, u shpreh Zoran Jovanovski, oda ekonomike.
Sindikata, nga ana tjetër, vlerëson se rritja e pagës minimale në muajin mars, në fakt është vetëm barazim i mjeteve në buxhetin e brendshëm në bazë të inflacionit të lartë në Maqedoni. Jo vetëm minimalja, sindikalistët apelojnë të rriten të gjitha pagat për të rikthyer fuqinë blerëse të punëtorëve./Alsat.mk