Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski duke u përgjigjur në pyetjen se si e vlerëson vitin e kaluar në lidhje me luftën kundër tregtisë ilegale me drogë, potencoi se viti 2022 për MPB-në ka qenë një vit i suksesshëm, jo vetëm në pjesën e asgjësimit të tregtisë me armë dhe drogë, por në përgjithësi.
“Nëse keni të dhënën se për 6 për qind kemi zvogëlim të numrit të përgjithshëm të veprave penale dhe për 18 për qind të rritjes së efikasitetit në krahasim me vitin 2021, kjo tregon se aktivitetet të cilat ndërmerren në vazhdimësi japin rezultate, kurse viti 2021 ishte viti ku kishim rezultate më të mira në 30 vitet e fundit nga pavarësia e shtetit deri më sot. Nëse në vitin 2022 ka rezultate të mira, kjo tani do të thotë se tani janë edhe më të mira, përkatësisht këto rezultate janë më të mira në 30 vitet e fundit. Dhe ky duhet të jetë qëllimi. Ja tani, në ditët e para të janarit, përveç shumë festave, po përkushtohemi edhe në vetveten si institucion. Për çdo ditë kemi takime koordinuese në të cilat praktikisht i analizojmë këto situata dhe si detyrë i parashtrojmë prioritetet strategjike për vitin 2023”, theksoi ministri Spasovski në intervistën për TV Plus.
Ai shton se lufta kundër tregtisë me drogë dhe armë do të jetë një nga prioritetet kryesore edhe këtë vit.
“Vitin e kaluar kishim 2,4 tonë drogë të sekuestruar me vlerë të përgjithshme rreth 6 milionë euro. Pjesa me e madhe e sekuestrimeve kanë qenë marihuanë, por kemi edhe hashash, kemi edhe kokainë, heroinë, amfetaminë dhe rreth 20 tonë prekursorë për prodhimin e drogës sintetike. Para 2 muaj e gjysmë kemi shkatërruar sasinë më të madhe të drogës nga vitet 90-ta, diku rreth 10,3 tonë drogë narkotike. Gjatë kësaj kemi parandaluar disa transporte ndërkombëtare të drogës të cilat kalojnë nga fqinjët. E tërë kjo mbetet prioritet edhe në periudhën e ardhshme për këto struktura kriminale të cilat merren me lloje të ndryshme të kriminalitetit të nxirren para drejtësisë”, ka thënë mes tjerash ministri Spasovski.