Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) 1878-1937 – NDERI I KOMBIT, firmëtar i Aktit të Pavarësisë më 1912 në Vlorë
Doktor Myrteza Ali Struga, i diplomuar për teologji dhe mjekësi në Stamboll, iu dedikua krahas të tjerave edhe përhapjes së gjuhës shqipe dhe mbrojtjes së interesave kombëtare që kulmoi deri në firmosjen e Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë në vitin 1912.
Ai ka lindur në Dibër, më 1878, kurse shkollën fillore dhe të mesme e ka kryer në Strugë. Që në moshë të re i dedikoi shumë kohë përhapjes së gjuhës shqipe, sidomos te fëmijët e familjeve të varfra. Kjo veprimtari u zgjerua më tej në kohën kur doktor Myrtezai së bashku me Nuri Sojliun dhe Zydi Ohrin, themeluan një shkollë shqipe, e cila kishte shtrirjen e vet në Strugë, Ohër, Pogradec dhe fshatrat për rreth.
Në vitin 1903, ai vendos të largohet për studime të larta në Stamboll, ku pas përfundimit të shkollës për teologji, mendon t’i vijojë studimet edhe në Universitetin francez të mjekësisë të Stambollit. Emri i tij gjendet edhe në radhorin e studentëve të viteve 1909-1910 së bashku me Dr. Omer Nishanin me të cilin kishte lidhur një miqësi të ngushtë.
Gjatë viteve si student, Myrtezai bashkë me atdhetar të tjerë shqiptar, aktivizohet te klubi “Bashkimi” si dhe në organizatën e Rilindjes shqiptare me emrin “Burimi”. Në programin e këtyre organizatave politike dhe kulturore ishte jo vetëm arsimimi në gjuhën shqipe me alfabet latin ( në kundërshtim me predikimet e xhonturqëve për të përdorur alfabetin arab), por edhe një hap i parë për të siguruar autonominë e Shqipërisë.
Pas diplomimit në Stamboll, Myrtezai kthehet në atdheun e tij, në qytetin e Strugës, ku fillon të ushtrojë profesionin e mjekut. Në këtë punë, spikat humanizmi i tij. Në qytetin e Strugës, ai hap edhe farmacinë e tij, në të cilën përgatiste edhe barna për të sëmurët, pasi atëhere ishte e pamundur të gjendeshin barna. Duke parë perspektivën e zhvillimit të farmacisë së tij në Strugë dhe gjetkë, ai dërgon me studime në Austri, me shpenzimet e veta, nipin e tij, Xhevat Strugën, një djalë i zgjuar i shkathët dhe energjik i cili diplomohet atje (djali i Zenel Strugës, në atë kohë tregtar, i cili së bashku me Shukri Strugën, vëllain e tij, dhe ortakun Mitre Radozhda, kishin dyqanin e tyre). Përveç punës si mjek, Myrtezai nuk rreshti së përpjekuri për përhapjen e gjuhës shqipe. Në librin e Mitrush Kutelit, “Xinxifilla”, përmendet edhe doktor Myrtezai: “ Zemërmiri doktor Myrtezai erdhi që nga Struga mes fërfëllimës për të më vizituar se isha i sëmurë. Ai ishte mik i babait tim me të cilin punonin për përhapjen e abetares shqipe” (Libri i Mitrush Kutelit “Xinxifilla” f. 147-148).
Shpesh herë mësimin e bënte edhe në mungesën totale të kushteve. Mësuesi i muzikës, Krasta, kujton se “doktor Myrtezai na e mësonte gjuhën shqipe duke shetitur me barkë në gjolin e Pogradecit”.
Në nëntor të vitit 1912, doktor Myrteza Ali Struga, së bashku me Zuhdi bej Ohrin dhe Nuri Sojliun, Hamdi bej Ohrin, Mustafa Barotçiun, Dervish Himën u zgjodhën delegate të Ohrit e Strugës për në Kuvendin e Vlorës ku edhe firmosën në Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë ( në numrin 31 në listë është firma e Dr.H. Myrteza Aliut, ku fjala-shkronja “H” nënkupton titullin e marrë si Hafëz në Stamboll).
Në vitin 1918, doktor Myrtezai martohet me Fadile Blloshmin, vajzën e Hajdar Blloshmit dhe motrën e vëllezërve Selaudin, Haki, Shefqet dhe Xhevdet Blloshmi, e cila fatkeqësisht vdiq pas një kohe të shkurtër duke lënë vajzën gjashtë muajshe, Ferzijen. Po atë vit, doktor Myrtezai martohet për herë të dytë dhe gruaja e tij Nebija e mban dhe ushqen Ferzijen si vajzën e vet. Doktor Myrtezai pati nga martesa e tij e dytë gjashtë fëmijë të tjerë: Qerime Struga (Baholli), lindur në Strugë, në vitin 1923, Adli Strugën, ( më vonë me mbiemrin Dibra), lindur në Strugë, më 1925, Ervehe Strugën (Laze nga i shoqi) lindur në Strugë, në vitin 1928, Nevzat Strugën, (më vonë me mbiemrin Dibra), lindur në Strugë, në vitin 1930, Fatmir Strugën, ( më vonë me mbiemrin Dibra), lindur në Peshkopi në maj të vitit 1934. Në fund të këtij viti (1934), familja e doktor Myrtezait, transferohet në Kavajë, në fillim në një shtëpi me qira, pastaj ndërton shtëpinë e tij.
Pse u largua doktor Myrtezai nga Struga për në Peshkopi? Në atë kohë, dy vëllezërit e tij, Zeneli dhe Shukriu, falimentuan në tregëti. Doktor Myrtezai u detyrua të nxirrte në ankand shtëpinë e tij dhe tokat që zotëronte, për të shpëtuar të dy vëllezërit. Me sa duket, përfituesi nga ky ankand duhet të ketë qënë Mitre Radozhda!
Doktor Myrteza Ali Struga, si patriot dhe rilindës i shquar, e priti me urrejtje pushtimin e Ohrit dhe të Strugës nga ana e ushtrive sërbe në fund të nëntorit të vitit 1912. Ai vihet menjëherë në krah të çetave atdhetare si të Abdulla Rushitit, Beqir Agës, Murat Sojliut etj. Ai nuk kursen aspak mjetet e tija financiare për të mbështetur këto formacione gjatë viteve 1912-1916. Kjo ndihmë e doktor Myrtezait, ran ë sy të autoriteteve ushtarake serbe, të cilët e internuan për një vit dhe ia qethën flokët. Për këtë ka rrëfyer gruaja e tij Nebije Struga (Dibra).
Në vitin 1920, përsëri si delegat i Ohrit dhe Strugës, doktor Myrtezai merr pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku u morën vendime të rëndësishme për formimin e shtetit shqiptar dhe për mbrojtjen e territoreve të Shqipërisë nga copëtimi që kërkonin t’i bënin shtetet fqinj, si Italia, Serbia dhe Greqia. Edhe në librin e tij me kujtime të profesor Dr. Fejzi Hoxhës mbi mjekësinë shqiptare, botim i vitit 1962 në Tiranë, përmendet edhe doktor Myrteza Ali Struga si një ndër figurat e shquara të mjekësisë shqiptare dhe firmëtar i Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe delegate i shquar në Kongresin e Lushnjës. Po ashtu, në librin e Flamur tartarit (bashkë me dy autor të tjerë: Andrea Gudha e Rozeta Bezhani), “Vështrim historik i organeve drejtuese të shëndetësisë shqiptare 1912-2000”, thuhet se doktor Myrteza Ali Struga ka qenë drejtor i spitalit të Peshkopisë nga vitet 1930-1934.
Pas largimit nga Struga, në fund të vitit 1930, ai caktohet në Peshkopi drejtor i Spitalit të Peshkopisë, që numëronte vetëm 8 shtretër, një gjë e pakëndshme për atë kohë, pasi kishte pak fonde. Iu desh të punonte në kushte mjaft të vështira, për shkak se i mungonin edhe ilaçet, për të mposhtur sëmundjet aq të përhapura në rrethin e Dibrës. Për më tepër, atëherë i shkurtojnë nga organika edhe kryeinfermierin e spitalit, pasi Peshkopia siç shprehej në atë kohë prefekti i Peshkopisë, “shëndetësia nuk mund të thuhet se është e keqe, mbasi si malsi që janë këto vende përfitojnë nga ajri, ujët e mirë e i pastër”. Por në ato treva bënin kërdinë sëmundjet e tilla si malarja, tuberkulozi, sifilizi etj. Edhe përpjekjet e doktor Myrteza Aliut për ti dërguar barna nga Tirana dështuan njëra pas tjetrës, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë hesht’te. Pas kësaj, në vitin 1934, e transferojnë mjekun “tepër kërkues” për në qytete tjera. Fillimisht e dërgojnë në Kavajë, më pas në Lushnjë, Elbasan dhe në fund në Lezhë, me një fjalë ishte mjek që nuk e linin të zinte vend. Në vitin 1935, përfundimisht vendoset në Lezhë. Atje hap edhe farmacinë e vet, pasi ilaçe kundër sëmundjeve infective nuk gjindeshin dhe shteti nuk i siguronte dot.
Në Lezhë gëzonte respektin dhe simpatinë e lezhjanëve, ku të varfërve që nuk kishin para të blenin ilaçe ua jepte falas. Në vitin 1935 e transferojnë në fund në Tiranë me të shtatë fëmijët Atje gjenin rast të vinin për ta pa doktorin por edhe mbesën e tyre Ferzijen, Hajdar Blloshmi, në atë kohë 75 vjeç dhe Hakiu në atë kohë 31 vjeç. Bisedonin për çështjet shqiptare, merrnin ndonjë libër në frëngjisht nga doktori si të Ballzakut, Viktor Hygosë etj. Doktor Myrtezai zotëronte shumë mirë gjuhët turke, franceze, serbe dhe maqedonase.
Në mars të vitit 1937, disa muaj përpara 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, vdes nga një sëmundje e rëndë, duke lënë në pikëllim gruan dhe shtatë fëmijët e tij. U largua nga jeta një mjek zemërmirë dhe i përkushtuar për punën që bënte, një patriot, një luftëtar i paepur për çështjen shqiptare, pavarësinë dhe lirinë e atdheut, një ndër 110 mjekët e pakët që kishte atëherë Shqipëria. Ai u përcoll me dhimbje dhe nderim të thellë nga shtatë fëmijët që i la të vegjël, nga farefisi, shokët, miqtë, kolegët.
Pas çlirimit të Shqipërisë, doktor Myrteza Ali Strugës (Dibra), iu dha nga Kuvendi Popullor titulli “ Patriot” për veprimtari patriotike të çështjes shqiptare, ndërsa gruas së tij, Nebijes, iu akordua pensioni patriotik për të shoqin, pension të cilin e gëzoi deri në vdekjen e saj.
Në 70 vjetorin e Pavarësisë, në vitin 1982, merr pjesë edhe bashkëshortja e Dr.H. Myrteza Ali Strugës (Dibra), Nebija, e vetmja grua patrioti ende e gjallë deri atëherë. Asaj iu rezervua një vend i nderuar në tribunën e qytetit të Vlorës dhe në mbrëmjen e organizuar me atë rast.