Inflacioni mbetet një nga problemet më të mëdha me të cilat do të përballen qytetarët gjatë vitit 2023. Qeveria, biznesi dhe Banka Popullore janë të mendimit se Maqedonia si ekonomi e vogël nuk mund të ndikojë në zhvillimet globale, por me përpjekje të përbashkëta dhe masa në kohë mund të zvogëlohet ndikimi i rritjes së çmimeve. Nga Oda e Tregtisë thonë se askush nuk duhet të presë që çmimet të ulen me të njëjtat ritme që janë rritur. Por, pritshmërit janë që çmimet të ulen gradualisht këtë vit.
“Ne po flasim për inflacion dhe duhet të flasim për inflacionin bazë. Inflacioni bazë është inflacioni që mbetet kur nga inflacioni total i zbritni çmimet e ushqimeve dhe energjensëve, ajo që mbetet është inflacioni bazë. Në nëntor të vitit të kaluar krahasuar me vitin 2021, inflacioni total është 19.5 për qind, dhe inflacioni bazë është 9.5 për qind”, tha Zoran Jovanovski- Oda Ekonomike.
Me këtë biznesi dëshiron të thotë se inflacioni total nuk është vetëm rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë elektrike, por ka edhe shumë arsye të tjera që ndikojnë në uljen e standardit të qytetarëve. Megjithatë, nga Banka Popullore thonë se inflacioni është i lartë kudo, por këtë vit do të stabilizohet dhe nuk do të kalojë 9 për qind.
“Përderisa masa është e pacaktuar, nga njëra anë funksionon më shpejt, parandalon rritjen e inflacionit, por nga ana tjetër ka implikimet e veta negative, që do të thotë se i kushton buxhetit, jo të gjitha vendet mund ta përballojnë këtë dhe nga ana tjetër nuk dërgon realisht sinjale tregu”, theksoi Anita Angelovska-Bezhoska -Guvernatore e Bankës Popullore.
Sipas përllogaritjeve të sindikatës, shporta minimale e konsumit për një familje katëranëtarëshe në vend peshon mbi 51 mijë denarë. Rreth 45 për qind e kësaj shume është për blerjen e ushqimeve bazë. /Alsat.mk