RMV: Zgjedhja apo ndërrimi i mjekut amë do të bëhet në formë elektronike

Pas reagimeve të mjekëve amë se nuk ka mjaftueshëm formularë në letër për deklaratë për zgejdhje/ndërrim të mjekut, për çka një numër i caktuar i pacientëve kanë mbetur pa mjekë amë, Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka vendosur zgjedhje elektronike. Kjo është në fuqi që nga filimi i javës.

“Me vendosjen e këtij shërbimi u lehtësohet puna mjekëvë amë, por edhe të siguruarve kur kanë nevojë për zgjedhje apo ndërrim të mjekut amë. Me vendosjen e këtij shërbimi mjekët amë më nuk do të kenë nevojë të furnizojnë formularë në letër sepse shërbimin do ta kenë në dispozicion në formë elektronike vazhdimisht”, thonë nga FSSH.

Me këtë risi, të gjithë të siguruarit mund ta shfrytëzojnë këtë shërbim gjatë zgjedhjes, përkatësisht ndërrimit të mjekut amë.

“Ky është një hap pozitiv në raport me kërkesat tona për numër më të madh të shërbimeve elektronike, llargimin e dokumenteve në letër. Në praktikë, do të thotë se nuk do të shkojmë te Fondi për marrjen e formularëve, do të duhet i siguruari të nënshkruajë te mjeku amë apo të konfrimojë përmes telefonit se ka bërë ndërrim”, tha Lili Çolakova – Dervishova, kryetare e Shoqatës së mjekëve privat në Maqedoni.