MASH Maqedoni: Sisteme diellore fotovoltaike do të marrin 25 shkolla përmes grantit evropian

Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të përmirësojë efiçencën energjetike të shkollave fillore dhe të mesme me instalimin e sistemeve fotovoltaike diellore. Projekti do të realizohet me grant prej 1.1 milionë euro të siguruar nga Banka për Zhvillim të Këshillit të Evropës.

“I realizojmë angazhimet për kushte më të mira për mësim si dhe krijimin e mjedisit jetësor të shëndetshëm . Fondi Evropian për Investime të Gjelbra Shoqërore të dedikuara për përforcimin e masave gjithëpërfshirëse klimatike, na mundësoi të investojmë në efiçencën e energjisë të paktën në 25 shkolla. Efekti është i dyfishtë – bëjmë zëvendësime në energjinë të bazuar në lëndë djegëse fosile me energji të pastër dhe të rinovueshme dhe njëkohësisht kemi kursime në faturat e energjisë. Këto mjete do të riinvestohen në përmirësimin e kushteve në shkolla”, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri pas miratimit të grantit.

Shkollat e përfshira në projektin e ri janë rikonstruktuar më parë me një hua nga Banka për Zhvillim në kuadër të Këshillit të Evropës.

Ndërgjegjësimi tek nxënësit për çështjet energjetike dhe ndryshimet klimatike është një nga prioritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Njohja e nevojave për tranzicion të gjelbër është integruar në sistemin arsimor.

“Trajnime për integrimin e edukimit mjedisor dhe ndryshimeve klimatike në programet mësimore e ndoqën 121 mësimdhënës . Qëllimi është gjatë procesit arsimor që nxënësit të zhvillojnë kompetenca, të fitojnë njohuri, shkathtësi dhe qëndrime të domosdoshme për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe tranzicionin në ekonomi dhe shoqëri më të drejtë dhe më të gjelbër”, informojnë nga MASH-i.