Më 12 janar do të bëhet pagesa e mbështetjes financiare për kategorinë e ndjeshme të qytetarëve në Maqedoni

Mjetet për shfrytëzues të mbështetjes financiare për përballje me krizën energjetike do të paguhen më 12 janar 2023, kumtoi sot Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Lista e shfrytëzuesve të mjeteve për mbështetje financiare për përballje me krizën energjetike do të publikohet nesër, më 5 janar 2023 në ueb-faqen e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe të Fondit për sigurim pensional dhe invalidor të Maqedonisë së Veriut (shfrytëzues të pensionit në shumë jo më të madhe se 11.525 në muaj, përkatësisht në shumë jo më të madhe se 14.000 denarë në muaj, si dhe shfrytëzues të së drejtës së kompensimit për dëmtim trupor). Lista do të publikohet edhe në ueb-faqen e Agjencisë për punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut (persona të papunë – shfrytëzues të së drejtës së sigurimit material në lloj të kompensimit në të holla). 

“Lista publikohet me qëllim që qytetarët të mund të bëjnë kontrollin, ndërsa nëse personi nuk është në listë, ndërkaq konsideron se i përmbushë kushtet si shfrytëzues i së drejtës, mund të parashtrojë ankesë në Komisionin për vendim-marrje rreth ankesave për mbështetje financiare pranë Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, në afat prej tre ditëve nga dita e publikimit të listave të shfrytëzuesve të mbështetjes financiare”, thuhet në kumtesë.

Ankesa mund të parashtrohet përmes arkivit të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale apo përmes postës elektronike mtsp@mtsp.gov.mk.

Lista e shfrytëzuesve të mjeteve për mbështetje financiare për përballje me krizën energjetike do të hiqet nga ueb-faqja e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, ueb-faqja e Fondit për sigurim pensional dhe invalidor të Maqedonisë së Veriut dhe ueb-faqja e Agjencisë për punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut pas skadimit të tre ditëve nga dita e publikimit.