Ushtria ruse vazhdoi sulmet mbi objektivat kryesisht civile në Ukrainë gjatë 24 orëve të fundit. Ky njoftim erdhi një ditë pasi ushtria ruse pranoi humbje të mëdha në një nga sulmet më vdekjeprurëse të Kievit që nga fillimi i luftës 10 muaj më parë.
Njoftimi tha se ushtria ruse kishte nisur gjashtë raketa dhe 52 sulme ajrore, si dhe 77 sulme nga sistemet e raketave. Të gjashtë sulmet me raketa dhe 30 nga sulmet ajrore kishin në shënjestër infrastrukturën civile, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës. Forcat ukrainase rrëzuan gjithashtu 27 drone iraniane Shahed të nisur nga forcat ruse, thuhet tutje në njoftim.
Rusia duket se ka rritur sulmet ajrore kundër objektivave civile në kryeqytet, Kiev dhe qytete të tjera ditët e fundit. Ajo po planifikon një fushatë të zgjatur sulmesh me dronë iranianë për të “shteruar” Ukrainën, tha Presidenti Volodimir Zelensky. Ai bëri me dije se ka marrë raporte të inteligjencës që sugjerojnë se Moska do të nisë sulme të reja duke përdorur dronët Shahed të prodhuar nga Irani.
“Kemi informacione se Rusia po planifikon sulme të zgjatura me Shaheds. Qëllimi është rraskapitja e njerëzve tanë, lodhja e mbrojtjes tonë ajrore, energjisë tonë. Por ne duhet dhe do të bëjmë gjithçka për të siguruar që ky synim i terroristëve të dështojë. Sot do të doja të përgëzoja Komandat Ajrore të Qendrës, Jugut dhe Lindjes për mbrojtjen e suksesshme të qiellit tonë këto ditë”, tha Zelensky.