Gjermania regjistroi punësim rekord vitin e kaluar. Edhe fondi shtetëror i pensioneve ka shënuar rritje të papritur. Po cilat janë shkaqet?
Në Gjermani kishte vitin e kaluar 45.6 milionë të punësuar, njoftoi Enti Federal i Statistikave. Kjo është një rritje prej 1.3 për qind, duke arritur një numër rekord punonjësish që nga ribashkimi gjerman në 1990. Pandemia e vitit 2020 theu kontinuitetin e rritjes 14-vjeçare ekonomike, në një kohë kur punësimit është rritur çdo vit. Vetëm gjatë vitit 2020 kanë humbur punën rreth 362.000 punonjës.
Një nga arsyet e rritjes së numrit të të punësuarve këtë vit ishte imigrimi i fuqisë punëtore të huaj. “Së bashku me këtë vjen edhe një aktivitet më i madh i punës së popullatës vendase”, thonë statisticienët. Për momentin, këto dy gjëra zbusin treguesit e këqij demografikë, të cilët në afat të mesëm mund të rezultojnë në një rënie drastike të numrit të banorëve në moshë pune.