NATO ka mirëpritur përpjekjet për de-eskalim të situatës në veri të Kosovës, pas vendimit të serbëve për t’i hequr barrikadat që i vendosën vetë 20 ditë më parë.
Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungesco, ka thënë se NATO pret që të gjitha palët t’u përmbahen detyrave dhe obligimeve që kanë, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
“NATO mirëpret përpjekjet për de-eskalimin e tensioneve në veri të Kosovës. Ne presim që të gjitha palet t’u përmbahen detyrave të tyre”, ka shkruar ajo në Twitter.
Tutje, ajo tha se KFOR është i gatshëm të ndërhyjë në rast rreziku.
“NATO/KFOR, po vëzhgon nga afër dhe është i gatshëm që të ndërhyjë nëse është e nevojshme, në përputhje me mandatin nga OKB për ta garantuar lirinë e lëvizjes”, ka shkruar ajo.
Kujtojmë se deri tash është larguar barrikada në Rudarë si dhe ajo në Lagjen e Boshnjakëve.
Barrikadat u ngritën në veri si reagim i komunitetit serb në Kosovë për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq, i akuzuar për sulm terrorist ndaj zyrave të KKZ’së në veri. Ky i fundit dje u lirua në arrest shtëpiak.
Për heqjen e barrikadave, të mërkurën mbrëma njoftoi vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nga takimi që pati me pjesëtarë të komunitetit serb në Rashkë.