Kuvendi miratoi ndryshimet në Vendimin për gjendjen e krizës për shkak të rrezikut të lartë të emigrantëve

Kuvendi miratoi sot ndryshimin e Vendimit për miratimin e zgjatjes së afatit për ekzistimin e gjendjes së krizës në një pjesë të territorit të shtetit, për shkak të rrezikut të lartë të rritjes së vëllimit të hyrjes dhe kalimit të emigrantëve përmes territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik nga migrimi ilegal në kushtet e ekzistimit të një pandemie të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për virusin SARS-Co\/-2 dhe parandalimin e përhapjes së tij, e cila kërcënon sigurinë, shëndetin dhe pronën e popullatës.

Vendimi është marrë me 44 vota “pro” dhe 22 “abstenime”. Deputetët e VMRO-DPMNE-së votuan me abstenim, sepse, siç theksoi deputeti i kësaj partie Dragan Kovaçki, kjo duhet t’i referohet vetëm emigrantëve dhe jo krizës Kovid-19.

“Kriza e Kovid-it nuk duhet përmendur fare në këtë kontekst sepse ajo çështje ka kohë që është tejkaluar dhe nuk kemi marrë një vendim të ndryshuar deri më sot, sepse po e vendosim veten në një situatë të votimit për diçka që nuk është. E dyta është që Ministria e Punëve të Brendshme të ketë kapacitetet e veta për të luftuar krizën e emigrantëve”, tha Kovaçki.

Ai shtoi se fluksi i emigrantëve është rritur dhe çdo ditë zbulohen nga 30 deri në 40 persona, për të cilën përgjegjëse është pushteti, i cili sipas Kovaçkit, ka dhënë dritën jeshile për fluksin e emigrantëve.

Deputeti pyeti se përse duhet pjesëmarrja e një pjese të Armatës në kufirin jugor dhe një pjesë në kufirin verior dhe akuzoi se në vend që të “ndërtohen kapacitetet, në MPB po shkatërrohet gjithçka, ka partizim të plotë, punësim të ish-kryetarëve të komunave deputetëve, njerëzve që kanë humbur në zgjedhje dhe kriminelëve të vendosur në poste drejtuese…”

Në rendin e ditës në këtë seancë ishte edhe propozim-ligji për kooperativat, por duke qenë se nuk kishte përfaqësues të propozuesit, kjo pikë u la për një vazhdim tjetër të seancës.