Mërgimtarët e shpëtojnë sezonin e Vitit të Ri në Strugë

Në mungesë të mysafirëve vendas dhe të huaj në numër të madh, sezonin e Vitit të Ri në Strugë do ta shpëtojnë mërgimtarët. Ata janë kthyer këto ditë në vendlindje për të kaluar pushimet me të afërmit e tyre.

“Jemi nga Italia. Do të qëndrojmë për dy javë. Ku do ta prisni Vitin e Ri? Në shtëpi, e dini se ku vijnë mërgimtarët, në shtëpi, dhe nga shtëpia përsëri në të njëjtin vend ku e fitojnë bukën e gojës…”.

Dyqanet e Strugës janë duke punuar me kapacitet të plotë. Aktiviteti i shtuar ndihet në të gjithë Çarshinë. Mërgimtarët kanë nxitur ekonominë lokale.

Edhe në Ohër do të jetë plot për Vitin e Ri. Ndërkohë që hotelet janë gjysmë të mbushur, akomodimi privat shënon frekuentim të mirë.

“Të gjitha ambientet private akomoduese janë plot. Vijnë operatorë turistikë, agjenci turistike nga rajoni, të cilët marrin me qira njësi private akomoduese…”, tha Kliment Naumov – ciceron turistik.

Në Ohër do të ketë pritje për natën e ndërrimit të mot-moteve në sheshin e qytetit. Për 1 janar janë planifikuar edhe koncerte në qiell të hapur. /Alsat.mk