Pendarovski: S’ka drejtësi me kriminelë në liri dhe prokurorë të korruptuar

Presidenti Stevo Pendarovski nga seanca e Kuvendit drejtoi kritika për korrupsionin dhe klientelizmin politik në shtet, i cili, siç theksoi, gërryen besimin e qytetarëve në institucione, transmeton Portalb.mk..

“Interesimi i jashtëzakonshëm mediatik që pasoi vizitën e të ashtuquajturit ekipi i sanksioneve nga SHBA-ja është konfirmimi më i mirë i mosbesimit që qytetarët tanë kanë ndaj autoriteteve vendase kur shohin të vetmen shpresë për drejtësi në institucionet e huaja dhe ndërkombëtare. Megjithatë, realiteti është se askush nga jashtë nuk do ta çrrënjos korrupsionin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëse institucionet tona dhe përfaqësuesit e zgjedhur politikë të qytetarëve nuk e bëjnë këtë”, tha Pendarovski.

Në atë përplasje mes kriminelëve dhe numrit të madh të qytetarëve me dinjitet, ka dy synime: së pari, si shtet të tregojë rezultate konkrete, jo vetëm arrestime për publikun, por dënime me burgim afatgjatë dhe kthim të gjërave të vjedhura dhe së dyti, të respektohet prezumimi i pafajësisë, që do të thotë se nuk duhet t’i dënojmë njerëzit në publik para se t’i dënojë gjykata kompetente, porositi presidenti.

“Megjithatë, të gjitha përpjekjet tona do të bien në ujë nëse organet kompetente gjyqësore rreshtohen me personazhe për të cilët i gjithë opinioni e di se u kanë siguruar fëmijëve dhe nipërve të tyre të palindur para nga populli. Një tezë që shumë prej nesh e përsërisin prej vitesh është se nuk ka drejtësi nëse nuk ka politikanë aktualë në burg për korrupsion, por nuk do të ketë drejtësi për sa kohë që gjyqtarët dhe prokurorët që marrin vendime skandaloze që ndoshta kanë motive korruptive janë në liri”, tha kreu i shtetit.

Sipas tij, rreziku më i madh për sigurinë tonë kombëtare mbetet demografia, siç dëshmojnë rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë.

“Për tre vjet e gjysmë, pjesën më të madhe të kohës e kam kaluar në biseda me të rinjtë, duke folur për nevojat dhe problemet e tyre – standardin rinor, arsimin. Isha patron i një duzinë nismave dhe projekteve me organizata të shoqërisë civile vendase dhe të huaja për pjesëmarrje më të madhe të të rinjve në vendimmarrje, për funksionalizimin e Ligjit për të rinjt, projektligjit të ri për arsimin e mesëm. Dhe vitin e ardhshëm, e njëjta axhendë do të mbetet në krye të prioriteteve të mia. Megjithatë, sistemi duhet të funksionojë sepse iniciativat individuale nuk mjaftojnë. Është e nevojshme që sa më shpejt të arrihet një konsensus dhe strategji e gjerë shtetërore për këtë çështje, e cila do të përcaktojë të ardhmen tonë shumë më tepër sesa ndryshimi i Kushtetutës”, tha presidenti.

Presidenti i shtetit tradicionalisht çdo vit para përfundimit të vitit kalendarik mban një fjalim para deputetëve në të cilin prezanton pikëpamjet e tij për zhvillimet aktuale në vend dhe në botë.