Rici: Maqedonia e Veriut është në rrugën e vërtetë në luftën kundër korrupsionit

Maqedonia e Veriut është në rrugën e vërtetë në luftën kundër korrupsionit. Atë e konfirmon vullneti i fuqishëm i shprehur politik i pushtetit për implementimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit, por edhe përparimi në listën e Transparensi interneshënëll për perceptim të korrupsionit në vend për këtë vit, vlerëson në bisedë Danilo Rici, përfaqësues rajonal për Evropën Juglindore i Zyres së Kombeve të bashkuara për drogë dhe krim (UNODC).

“Indeksi shumë i njohur i perceptimit të korrupsionit të Transparensi interneshënëll thekson se Maqedonia e Veriut është ranguar në vendin 91 në vitin 2020 dhe në vendin e 87-të në vitin 2021, duke treguar trend të qartë pozitiv lidhur me atë se si perceptohet korrupsioni sipas ekspertëve dhe njerëzve afaristë në vend. Kështu që besoj se kjo është udhërrëfyes pozitiv i përgjithshëm se vendi është në drejtimin e duhur”, thotë Rici.

Lidhur me implementimin e Udhërrëfyesit rajonal për antikorrupsion dhe rrjedha financiare joligjore, që ishte miratuar vitin e kaluar në qershor në Ohër për t’u përshpejtuar implementimi i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit (UNCAC), mes tjerash edhe përmes përforcimit të bashkëpunimit rajonal, këmbimit të përvojave, Rici thotë se edhe pse është herët të jepen vlerësime, megjithatë, ka rezultate të dukshme në rajon.

Një nga qëllimet e Udhërrëfyesit është edhe përforcimi i përgjigjes së jurisprudencës përballë korrupsionit dhe krimit ekonomik, përmes rrjetëzimit të prokurorëve special, organeve për zbatim të ligjeve dhe njësive për zbulim financiar, të cilët janë të kyçur në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale.

Lidhur me atë se sa jurisprudenca është në nivel të kësaj detyre, eksperti italian konsideron se marrë në përgjithësi, një prokuror special kërkon punë shumëvjeçare dhe praktikë specifike.

Në këtë temë, sipas tij, Maqedonia e Veriut e ndjekë rrugën e shumë vendeve të tjera me qëllim të vërtetë të ketë trupa të lartë të specializuar, të aftë të përballen me raste të komplikuara kriminele, përfshirë edhe korrupsionin dhe kthimin e pronës.

Në kontekst të vërejtjeve rreth procedurës së zgjedhjes së islam Abazit si njeri i parë i Prokurorisë themelore publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, muajin e kaluar, përfaqësuesi rajonal e nënvizon rolin e pavarur që ata e kanë, për ç’shkak nuk mund të komentojnë çështje të brendshme.

Për atë se në cilat sfera Maqedonia e Veriut duhet të investojë më shumë përpjekje për avancim të ndjekjes sistematike të korrupsionit dhe krimit të organizuar, Rici potencon se me rëndësi të posaçme është që rajoni në tërësi i identifikon këto çështje si kërcënime kryesore.

Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit, e miratuar në tetor të vitit 2003 me Rezolutën 58/4 në Asamblenë e përgjithshme të KB-së, paraqet instrument të vetëm obligues ndërkombëtar global të antikorrupsionit. vendi e nënshkroi Konventën më 18 gusht të vitit 2005, ajo është ratifikuar në prill të vitit 2007, ndërsa në fuqi hyri më 13 maj të vitit 2007.

Në konferencën rajonale në Shkup, përfaqësuesit qeveritarë biseduan për prioritetet e antikorrupsionit të Udhërrëfyesit rajonal për luftë kundër korrupsionit dhe financave të paligjshme dhe për obligimet e tyre në Samitin në Londër. Udhërrëfyesi rajonal për antikorrupsion dhe rrjedha të paligjshme financiare u miratua në Ohër nga ana e përfaqësuesve në nivel të lartë të qeverive nga juridiksionet e Ballkanit Perëndimor më 25 qershor 2021, ndërsa qëllimi është të përshpejtohet implementimi i Konventës së KB-së kundër korrupsionit, si mbështetje e arritjeve të Qëllimit 16 për zhvillim të qëndrueshëm në juridiksionet e Ballkanit Perëndimor.

Konferenca rajonale për luftë kundër korrupsionit që u mbajt këtë javë në Shkup ishte në organizim të zëvendëskryeministres së angazhuar për politika për sundim të mirë, Sllavica Gërkovska në bashkëpunim me Nismën rajonale për antikorrupsion dhe Zyres së KB-së për drogë dhe krim. Avancimi i transparencës, përforcimi i besimit të qytetarëve në institucione përmes punës profesionale, efikase dhe me përgjegjësi, vendosja e ligjeve dhe rregullave të sjelljes dhe sanksione për sjellje korruptuese, pavarësia gjyqësore dhe angazhimi politik, janë disa nga rekomandimet për luftë kundër korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor që dolën nga ky forum