Nisin punimet për aksin Elbasan-Qafë Thanë, projekti anashkalon Përrenjasin, dalje në Rrajcë

Nisin punimet për Korridorin 8, aksin Elbasan-Qafë Thanë. Drejtori i ARRSH, Evis Berberi thotë se punimet për këtë aks do të jenë me faza për shkak të kostos së lartë në buxhetin e shtetit. Aktualisht punimet janë shtrirë në aksin Fushë Labinot-Mirakë.

“Është ngritur kantieri për fillimin e punimeve. Ka filluar segmenti i parë prej 5.3 km që fillon nga Fushë-Labinot dhe mbaron në Mirakë. Vlera e fazës së parë të projektit është 2.6 mld lekë me TVSH, kontrata e nënshkruar”.

Aksi i ri i Kategorisë B i cili përfshin 4 korsi të lëvizjes me një shpejtësi minimale 110 km/h, anashkalon Prrenjasin duke dalë në Rrajcë.

“Me pikën e re doganore që ndërtohet ne nuk futemi fare në Prrenjas, por marrim direkt urën e Bushtricës , kthehemi majtas dhe dalim në luginën e Lunikut”.

Zv/kryeministrja Belinda Balluku tha se ky aks i rëndësishëm për juglindjen, por edhe për rajonin, pritet të përfundojë brenda 2 vitesh.

Ndërtohet për 24 muaj siç është vendosur. Të gjitha autostradat që do të vijnë nga Tirana në bajpasin e Elbasanit, më pas për të vazhduar në Labinot-Fushë, deri në Qukës është autostradë.

Aksi Elbasan-Qafë Thanë, e klasifikuar si rrugë interurbane kryesore do të jetë e përbërë me korsi 3.75 metra secila, me trafikndarëse në mes të gjelbëruar dhe po ashtu edhe gjelbërim pranë bregut lumit. Po ashtu do të shkurtojë edhe kohën e lëvizjes. Nëse deri më sot, Qafë Thana bëhet 1 orë e 30 minuta, ajo do të përshkohet për vetëm 35 minuta.