Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, me marrëveshjen e nënshkruar para dy ditësh në Tiranë, përmes ministrive të financave, transporti dhe institucioneve resoriale, brenda tre muajve, kanë paraparë të kryejnë studimin e fizibilitetit për ndërtimin e një zone intermodale logjistike, në formën e një “porti të thatë” në Strugë, për ngarkesa tranzit që vijnë në Maqedoninë e Veriut nga porti i Durrësit – “Porto Romano”.
“Komuna e Strugës ka përcaktuar një territor prej 60 hektarësh tokë shtetërore për të ndërtuar Portin e Thatë të Strugës. Projekti është në fazën fillestare pasi që studimi i fizibilitetit sapo ka filluar në Shqipëri, por ne jemi të përcaktuar që ta bëjmë”, deklaroi Artan Grubi – zëvendëskryeministri i pare i Qeverisë në emisionin “Opinion” në Tv Klan.
Për ndërtimin e Portit të Thatë në Strugë (Dry Port), Komuna e Strugës tashmë ka përcaktuar një territor prej 60 hektarësh tokë shtetërore. Gjë të cilën e konfirmuan për Indeks.mk edhe nga Komuna e Strugës. Nga atje thonë se lokacioni i ndërtimit të Portit të thatë është caktuar në rrugën Strugë – Dibër, që ndodhet në dalje të qytetit të Strugës.
Në afat prej tre muajve, të dyja palët do të bëjnë një plan për thjeshtësimin e procedurave për ndërtimin e portit të thatë, pas së cilës do të përpilojnë Marrëveshje për nënshkrim në Mbledhjen e përbashkët mes dy qeverisë në Tiranë.
Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi gjatë prezantimit të projektit të Portit të Durrësit ka deklaruar se me realizimin projektit të Portit të thatë në qytetin e Strugës vendoset një dimension i ri dhe kreativ i komunikimit, padyshim, siç u shpreh ai, se i njëjti do të kontribuojë edhe në përforcimin e këmbimit tregtar mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Grubi gjatë qëndrimit të tij në Tiranë ka nënshkruar edhe Marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, për zhvillimin e projekteve infrastrukturore, sigurinë logjistike dhe efikasitetin e transportit të mallrave ndërmjet dy vendeve.