Korridori 8 dhe Porti i thatë i Strugës projekte që bëjnë realitet integrimin kombëtarë, por edhe atë rajonal

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Artan Grubi të hënën në Tiranë ka nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Shqipërisë për zhvillimin e projekteve infrastrukturore, sigurinë logjistike dhe efikasitetin e transportit të mallrave ndërmjet dy vendeve.

Abdylmenaf Bexheti
Abdylmenaf Bexheti

Eksperti ekonomik Abdylmenaf Bexheti vlerëson se të gjitha projektet kapitale të parapara me ketë marrëveshje nëse realizohen sipas dinamikës së paraparaë do të kenë ndikim shumë të madh jo vetëm për nga volumi ekonomik, por edhe për nga cilësi.

“Nëse realizohen siç paralajmërohen, ndikimi do të jetë shumë i madh. Si për nga volumi ekonomik, po ashtu edhe për nga cilësi”, deklaroi Bexheti për Indeks.mk

Ismet Ramadani nga Këshilli Euro-Atlantik i Maqedonisë së Veriut në një prononcim për Indeks.mk thotë se këto janë nisma dhe vazhdimësi të Procesit të Berlinit. Por, shton ai, edhe një nga përfundimet e Samitit të fundit të BE-së për Ballkanin Perëndimor për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Ismet Ramadani
Ismet Ramadani

“Ky nënshkrim i marrëveshjes midis Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në një mënyrë e fillon përshpejtimin e ndërtimit të rrugëve dhe hekurudhës që realizojnë korridorin 8, e këtu do të kyçen edhe Bullgaria dhe në një formë edhe Italia. Të shpresojmë që kësaj here BE dhe këto shtete që ndërlidhen me Korridorin 8 do të angazhohen seriozisht në realizimin e këtij projekti aq të rëndësishëm”, deklaroi Ramadani.

Lidhur me projektin e ri të Portit të Durrësit i cili do të krijojë lehtësira edhe për mallrat e destinuara për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, duke hapur në këto dy shtete portet e thata respektive në varësi të Portit të Durrësit, Ramadani thotë se ky projekt do të jetë shtytje për transportin e mallrave dhe lëvizjes se lirë e cilësore për qytetarët.

“Porti i ri i Durrësit si mega projekt do t’i jep shtytje dhe funksionalitet për transportin e mallrave dhe lëvizjes se lirë dhe cilësore të qytetarëve. Nëse realizohet edhe porti i thatë i Strugës, atëherë është i garantuar një zhvillim i shpejt ekonomik që do të sjell shumë të mira në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve të dy shteteve, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Përveç dobive tona si dy shtete këtu përfiton i gjithë Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian, sepse krijohet një rrjetë rrugor me standarde evropiane. Me projekte të shpejta dhe cilësore do të thithen mjete financiare të garantuara nga BE. Kjo qasje dukshëm më serioze e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor duhet të shfrytëzohet edhe në realizimin e Korridorit 8”, nënvizoi Ramadani.

Analisti politik nga Prishtina, Leon Duhanaj konsideron se ndërtimi i autostradave, si korridori 8 por edhe të tjerave janë projekte të cilat e bëjnë realitet së pari integrimin kombëtarë e me pas edhe regjional dhe me gjerë.

Leon Duhanaj
Leon Duhanaj

“Ndërtimi i autostradave, si korridori 8 por edhe të tjerave. Pastaj edhe ndërtimi i hekurudhave siç është ajo që do ta lidhë Prishtinën me Durrësin. Ndërtimi i portit të ri të Durrësit ku parashihet edhe Porti i thatë të jetë në Prishtinë e Strugë. Të gjitha këto, janë projekte të cilat e bëjnë realitet së pari integrimin kombëtarë e me pas edhe regjional dhe me gjerë. Pra me realizimin e këtyre projekteve, për rajonin do të hapen perspektiva të reja dhe mundësi zhvillimi të hovshëm. Natyrisht që për të qenë sa me efikas në ketë mision, kërkohet përgjegjësi institucionale nga të gjitha vendet. Zbatim të ligjshmërisë dhe luftë permanente kundrejtë dukurive negative siç është korrupsioni apo krimi i organizuar ekonomik. Pos kësaj, kërkohet edhe bashkëpunim ndërshtetëror regjional”, deklaroi Duhanaj për Indeks.mk

Në ketë segment, shprehet ai, Maqedonia e Veriut është në situatë të mitë sepse ka bashkëpunim të mirë me të gjitha shtetet në rajon.

“Megjithatë mendoj që për t’u zhvilluar rajoni siç duhet dhe mundet, do të duhej të eliminohen të gjitha konfliktet në mënyrë që qeveritë të garojnë me program e projekte për të ardhmen, e jo me nacionalizëm e probleme të cilat veç se ndikojnë në ngecje dhe regres”, nënvizoi ai.