Alkooli që nga kohërat e lashta ka qenë mallkim i shoqërisë njerëzore. Ai edhe sot vazhdon t’u kushtojë jetën shumë njerëzve dhe miliona të tjerëve u shkakton fatkeqësi e dhimbje të tmerrshme anekënd botës. Alkooli është rrënja bazë e cila ka shkaktuar probleme të shumta, me të cilat po përballet shoqëria.
Statistikat e krimit, shtimi i rasteve të sëmundjeve psikike (mendore), miliona shtëpi të prishura në të gjithë botën dëshmojnë heshtazi për fuqinë shkatërruese dhe të dëmshme të alkoolit.
1. Ndalimi i alkoolit në Kuran
Kurani Famëmadh e ndalon pirjen e alkoolit në ajetet vijuese: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni!”1
2. Ndalimi i alkoolit në Bibël
Bibla e ndalon konsumimin e alkoolit në citatet e mëposhtme:
a. “Vera është një objekt tallje, pija e fortë është tërbim dhe xhindosje; dhe kushdo që është mashtruar në këtë mënyrë, ai nuk është njeri i mençur.” [Proverbat 20:1]
b. “Dhe mos u dehuni me verë (raki).” [Efesianëve 5:18]
3. Alkooli pengon qendrën e intelektit (e pengon njeriun të mendojë, logjikojë)
Qeniet njerëzore në trurin e tyre posedojnë një qendër penguese, e cila nuk i lejon atyre të logjikojnë. Ky sistem, i cili gjendet në tru, e pengon njeriun që të veprojë gjëra të cilat ai i konsideron si të gabuara. Për shembull, njeriu nga natyrshmëria e tij nuk përdor gjuhë fyese kur u drejtohet prindërve apo të moshuarve (pleqve). Po ashtu, edhe nëse ai ka për t’iu përgjigjur thirrjes së natyrës (për kryerjen e nevojës fiziologjike), ‘qendra penguese’ (inhibitory centre), do ta pengojë atë që ta bëjë këtë në prani të njerëzve. Prandaj, për këtë, atij i duhet ta përdorë tualetin (banjën). Kur njeriu konsumon alkool, qendra penguese është e ndaluar vetvetiu.
Kjo është pikërisht arsyeja që njeriun e dehur shpesh e gjejmë të llastuar dhe të involvuar në sjellje të cilat aspak nuk janë tipare dhe veçori të tij.
Shembull tjetër kemi po ashtu personin e dehur, te cilin e gjejmë të ketë përdorur fjalë te pista dhe të fëlliqura, ç’është më e keqja, ai fare nuk i vëren këto gabime edhe po që se me të tilla fjalë u është drejtuar prindërve të tij. Shumë prej pijanecëve urinojnë në rrobat e tyre, ata jo vetëm që nuk dinë të flasin, por as të ecin si duhet nuk dinë. Ata madje edhe sillen keq.
4. Rastet e prostitucionit, dhunimeve, marrëdhënieve seksuale të prindit me të bijën, SIDA, janë shënuar më së shumti në mesin e alkoolistëve
Bazuar në Studimin e Byrosë së Drejtësisë për Krime, Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vetëm në vitin 1996, çdo ditë mesatarisht ndodhnin 2,713 raste dhunimesh.
Të dhënat statistikore na tregojnë se shumica e përdhunuesve gjatë kryerjes se krimit ishin njerëz të dehur, pijanecë. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për rastet e ngacmimit. Sipas statistikave të siguruara, 8% e amerikanëve kryejnë marrëdhënie me vajzat e tyre, me mbesat e tyre, etj.
Çdo i dymbëdhjeti/trembëdhjeti person në Amerikë është i përfshirë në marrëdhënie seksuale me të bijën, mbesën (incest). Pothuajse gati të gjitha rastet e ‘incestit’, marrëdhënieve prind-vajzë, ndodhin për shkak të dehjes së njeriut apo të dy personave të përfshirë. Njëri nga faktorët kryesorë që ka të bëjë me përhapjen e SIDA-s, njëra ndër sëmundjet më të tmerrshme dhe më të frikshme, është vetë alkoolizmi.
5. Në fillim alkoolisti ka konsumuar vetëm sa për t’u dëfryer
Shumëkush mund të debatojë në favor të alkoolit dhe e quan veten ‘social drinker’, njeri i cili konsumon sa për t’u kënaqur. Ata pohojnë se nuk pinë më shumë se një apo dy gota dhe dinë të kontrollojnë vetveten, ndaj dhe kurrë nuk dehen. Investigimet nxjerrin në shesh se çdo alkoolist konsumimin e alkoolit e ka filluar për t’u kënaqur dhe dëfryer.
Asnjë alkoolist apo pijanec fillimisht nuk ka startuar të pijë alkool me qellim që të bëhet alkoolist apo pijanec. Asnjë konsumues alkooli, i cili ka filluar të pijë sa për t’u dëfryer, nuk mund të pranojë që unë kam konsumuar alkool prej shumë vitesh dhe kam shumë vetëkontroll dhe kurrë nuk jam dehur, madje asnjëherë të vetme.
6. Nëse personi dehet vetëm një herë dhe kryen ndonjë vepër të turpshme, ajo do ta shoqërojë sa të jetë gjallë
Të supozojmë se konsumuesi i alkoolit humb vetëkontrollin vetëm një herë. Përderisa ai është i dehur, ai kryen ndonjë dhunim apo bënë marrëdhënie me të bijën. Edhe në qoftë se për aktin e kryer ndien keqardhje, njeriu normal ka mundësi që fajin e tij ta mbartë gjatë tërë jetës se tij. Që të dy palët, edhe autori i krimit edhe viktima, janë të dëmtuar me një dëm të pakthyeshëm.
7. Alkooli i ndaluar edhe me Hadith
I Dërguari i fundit, Muhamedi alejhi selam, ka thënë:
a. Në Sunenin e Ibni Maxhes, Vëllimi 3, Libri i Dehjes, Kapitulli 30, Hadithi numër 3371, thotë
“Alkooli është nëna e të gjitha të këqijave.”
b. Në Sunenin e Ibni Maxhes, Vëllimi 3, Libri i Dehjes, Kapitulli 30, Hadithi numër 3392, Muhamedi alejhi selam, thotë: “Çdo gjë që deh me shumicë, pakica e saj është e ndaluar”, prandaj, nuk ka justifikim për një gotë apo gotëz.
c. Të mallkuar nga Allahu i Madhërishëm, nuk janë vetëm ata të cilët e konsumojnë alkoolin, mirëpo edhe ata të cilët në formë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi merren me të. Sipas Sunenit te Ibni Maxhes, Vëllimi 3, Libri i Dehjes, Kapitulli 30, Hadithi numër 3380. Transmetohet nga Enesi –Allahu qoftë i kënaqur me te- se Muhamedi alejhi selam ka thënë:
“Më erdhi Xhibrili dhe më tha: “O Muhamed, vërtet Allahu i Madhërishëm e ka mallkuar alkoolin, ai i cili e shtrydh atë, për atë të cilin shtrydhet, ai i cili e pi atë, ai i cili e bart atë, për atë të cilin bartet, ai i cili e shet atë, për atë të cilin shitet, ai i cili shërben me të dhe për atë të cilin shërbehet.”
8. Sëmundjet e ndërlidhura me alkoolizmin
Ekzistojnë disa arsye shkencore për ndalimin e konsumimit të alkoolit apo verës. Shifra maksimale e numrit të vdekjeve në botë të shoqëruara me ndonjë shkak të veçantë është konsumimi i alkoolit. Miliona njerëz vdesin çdo ditë në botë si rezultat i pirjes së alkoolit. Nuk kam nevojë të futem në të dhënat e detajuara te të gjitha sëmundjeve të shkaktuara nga alkooli, pasi shumica prej tyre janë të njohura përgjithësisht.
Më poshtë është një listë e thjeshtë, e cila tregon disa prej sëmundjeve të lidhura me alkoolin:
1. Cerroza e mëlçisë është ndër sëmundjet më të njohura që ndërlidhet me alkoolizmin.
2. Të tjera sëmundje janë kanceri i ezofagëve (Oesophagus), kanceri i kokës dhe qafës, kanceri i mëlçisë (Hepatoma), kanceri i zorrëve (Bowel), etj.
3. Ezofagu, gastriti, pankreatikët dhe hepatitët (mahisjet e mëlçisë) janë të lidhura ngushtë me konsumimin e alkoolit.
4. Sëmundjet e lëkurës janë gjithashtu të lidhura me alkoolin.
5. Ekzema, alipesia (Alopecia), distrofia i thonëve, paronychia (infektimet përreth thonjve). kockat e dala në fytyrë (Angular Stomatitis), (pezmatimet përreth gojës), të gjitha këto janë sëmundje të shpeshta në mesin e alkoolistëve.
9. Alkoolizmi është ‘sëmundje’
Mjekët tashmë janë kthyer në liberalë kur është fjala për alkoolin dhe alkoolizmin e quajnë sëmundje sesa varësi, pa të cilën njeriu nuk mund të jetojë. Qendra për Hulumtime Islame “The Islamic Research Foundation” ka publikuar një broshurë, në të cilën shkruan: “Nëse alkooli është një sëmundje, atëherë ajo është sëmundja e vetme që:
– Shitet në shishe
– Reklamohet në gazeta, revista, në radio dhe televizione.
– Ekzistojnë minidyqane, tregje të licencuara për ta shpërndarë/shitur atë.
– Prodhon burime të hyrash për qeverinë.
– Sjell vdekje të dhunshme në autostrada.
– Shkatërron jetën e familjes dhe rritje të krimeve.
– Nuk ka mikrobe e as viruse.
Alkoolizmi nuk është sëmundje – ajo është punë dhe prodhim i shejtanit
Allahu i Madhërishëm, në librin e Tij na ka tërhequr vërejtjen kundër këtij kurthi djallëzor. Islami quhet “Din-ul-Fitrah”, apo fe e natyrshmërisë së njeriut.
Të gjithë urdhrat kuranorë kanë për qëllim ruajtjen e pozitës së natyrshmërisë së njeriut. Alkooli është një devijim dhe shmangie nga kjo gjendje normale, si për individin edhe për shoqërinë. Alkooli e degradon njeriun në një nivel më të ulët sesa kafshët, kurse njeriu pretendon se është më superior. Si rrjedhojë, konsumimi i alkoolit është i ndaluar në Islam.[2]
Dr Zakir Naik
Përktheu nga gjuha angleze: Mr. Sc. Fehim Dragusha
16.8.2009
[1]) El-Maideh (5), ajeti; 90
[2]) Sipas disa shkencëtarëve amerikanë pranë Universitetit të Bostonit, ata kanë arritur të konstatojnë se pirja e alkoolit lidhet ngushtë me zvogëlimin e vëllimit të trurit. Këto të dhëna i publikoi revista; “Archives of Neurology”, të bazuara në studimin e 1839 personave të shëndoshë, me moshë mesatare 61 vjeç. Me këtë rast, është parë se konsumimi i alkoolit ka lidhje proporcionale me zvogëlimin e vëllimit të trurit. Sipas këtij studimi, ata të cilët asnjëherë nuk kanë pirë alkool posedojnë tru më të madh sesa ata që e kanë konsumuar atë. Mesatarisht, ata që nuk kishin pirë kurrë alkool kishin tru rreth 1.5% më të madh sesa konsumuesit e rregullt të alkoolit. Shkencëtarët mendojnë se dehidrimi i vazhdueshëm, që lidhet me pirjen e alkoolit, mund të ketë ndikim negativ në të gjitha indet e ndjeshme e jo vetëm në tru. (Shën. i përkthyesit)