Komisionerja evropiane për punë të brendshme Ilva Johanson dhe ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski sot në Bruksel nënshkruan revidimin e marrëveshjes dypalëshe me Maqedoninë e Veriut, me të cilën rinovohen aktivitetet për zbatimin e planit të përbashkët të veprimit për luftën kundër terrorizmit për Ballkanin Perëndimor, i cili, siç njoftoi Delegacioni i KE-së në Shkup, do të përmirësojë më tej bashkëpunimin në fushën e luftës kundër terrorizmit, parandalimit dhe kundërshtimit të ekstremizmit të dhunshëm.
“Plani i përbashkët i veprimit për të luftuar terrorizmin mbetet një shtyllë e bashkëpunimit tonë me Ballkanin Perëndimor për të garantuar sigurinë tonë të përbashkët. Ne mirëpresim përparimin e bërë nga Maqedonia e Veriut në zbatimin e veprimeve prioritare, ndërsa nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të rinovuar është një shenjë konkrete e angazhimit tonë të vazhdueshëm dhe mbështetjes për partnerët tanë”, tha Johanson.
Spasovski theksoi se po shfaqen kërcënime dhe sfida të reja të sigurisë dhe po tregojmë se bashkëpunimi ndërkombëtar është i një rëndësie të madhe.
“Kam kënaqësinë që jam këtu për të nënshkruar këtë marrëveshje të rishikuar me Komisionin Evropian. Marrëveshja e rishikuar do t’i mundësojë Maqedonisë së Veriut dhe BE-së të bashkëpunojnë më ngushtë në parashikimin, parandalimin, mbrojtjen dhe përgjigjen ndaj kërcënimeve terroriste. Ai gjithashtu mbulon parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe polarizimin e shoqërive tona të nxitura nga dezinformatat”, theksoi Spasovski.
Marrëveshja e rishikuar u nënshkrua edhe nga ministri shqiptar i Punëve të Brendshme, Bledar Çuçi, i cili theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes së rishikuar do të na mundësojë që së bashku me BE-në të përballemi më mirë me kërcënimin e terrorizmit, të harmonizojmë legjislacionin tonë me legjislacionin e BE-së dhe për të përmirësuar kapacitetet tona, ndërsa shkëmbimi i informacioneve do të sigurojë një pamje më të qartë të kërcënimeve reale dhe një gatishmëri më të mirë për t’u ballafaquar me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm.
Marrëveshja e rishikuar ndërmjet Komisionit dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut identifikon aktivitete specifike prioritare në fushën e bashkëpunimit antiterror që do të zbatohen gjatë viteve 2023 dhe 2024.
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut planifikojnë që dy herë në vit t’i dorëzojnë Komisionit raporte për gjendjen e zbatimit të tij. Marrëveshja parasheh mbështetjen e Komisionit për realizimin e aktiviteteve.
Marrëveshjet janë pjesë e Planit më të gjerë të përbashkët të veprimit Joint Action Plan për Ballkanin Perëndimor, i nënshkruar në tetor 2018, i cili ofron një kornizë gjithëpërfshirëse për veprim për të luftuar terrorizmin, për të parandaluar dhe luftuar ekstremizmin e dhunshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky angazhim i zgjeruar i sigurisë është një nga gjashtë iniciativat kryesore në Strategjinë e Komisionit për Ballkanin Perëndimor Strategy for the Western Balkans dhe i përgjigjet thirrjes nga Deklarata e Sofjes Sofia Declaration e majit 2018 për rritje të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Vlefshmëria dhe rëndësia e Planit të veprimit u riafirmua në Forumin ministror të drejtësisë dhe Punëve të Brendshme BE-Ballkani Perëndimor që është mbajt në vitin 2021.