Edhe pse gjenden më shumë se tetë mijë kilometra larg vendlindjes, shqiptarët e Çikagos me fanatizëm po e ruajnë dhe po e kultivojnë identitetin kombëtar. Kontribut të pamohueshëm në këtë drejtim po jep shkolla shqipe “Kongresi i Manastirit” që funksionon në kuadër të Qendrës Islamike Shqiptaro Amerikane. Shumica e mërgimtarëve shqiptarë në Çikago dhe në shtetin Ilinois janë me prejardhje nga Kërçova. Mirëpo në punën e kësaj qendre janë të kyçur të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh se nga cili qytet ose rajon kanë origjinën.
Qendra funksionon gati 50 vite, kurse interesimi i nxënësve vazhdon e rritet dhe tani ka arritur në njëqind e shtatëdhjetë, thotë për Lajm.Tv drejtoresha e kësaj qendre, Qëndresa Braimi, e cila në punën e saj ka mbështetje të pa rezervë nga zëvendësja Laura Aliu, si dhe nga koordinatoret Shega Bekteshi, Benka Rizmani dhe Luljeta Bajraktari.
Ruajtja e identitetit kombëtar në një shtet të madh siç është Amerika, kërkon shumë punë dhe angazhim. Mirëpo mërgimtarët tanë nuk i përtojnë fare këtij angazhimi, që bëhet në baza vullnetare dhe profesionale.
Ajo që gëzon jashtë mase dhe që jep shpresë se identiteti shqiptar do të ruhet gjeneratë pas gjenerate në këto pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është fakti se aktivitetet kombëtare mbështeten nga të gjitha gjeneratat. Me të njëjtin elan angazhohen edhe gjeneratat që kanë migruar para 50 viteve, por edhe ato më të reja, që kanë lindur në SHBA.
Në kuadër të qendrës është edhe xhamia shqiptare në Çikago, kurse përveç mësimit të gjuhës, fëmijët përcjellin edhe orë të mësim besimit fetar.
Ndjenjat dhe identiteti kombëtar tek fëmijët shqiptarë në Çikago kultivohet edhe përmes folklorit, e kjo bëhet në kuadër të grupit të valltarëve.
Aktivitetet e shqiptarëve në Çikago zhvillohen në kuadër të Komunitetit shqiptar, në kuadër të cilit funksionojnë dhe kontribuojnë shumë shoqata.
Pjesë e aktiviteteve të diasporës shqiptare në Çikago janë edhe shënimi dinjitoz i datave të rëndësishme kombëtare, kur rrugët e qytetit bëhen kuq e zi, e manifestimeve përveç shqiptarëve u bashkëngjiten edhe shumë amerikanë./Gazeta LAJM
Gazetar: Isen Saliu
Operator: Amir Idrizi