Kovaçevski-Shtajnmajer: Gjermania dëshiron ta shohë Maqedoninë e Veriut në BE

Kryeministri Dimitar Kovaçevski e priti sot në Qeveri presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Valter Shtajnmajer dhe në takim u shpreh kënaqësi e ndërsjellë për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet dy vendeve, të cilat vitin e ardhshëm do të shënojnë 30 vjetorin e tyre si dhe me mbështetjen e fuqishme që merr Maqedonia e Veriut nga Republika Federale e Gjermanisë për integrimet euroatlantike.

“Presidenti Shtajnmajer deklaroi se Gjermania dëshiron ta shohë Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Vendosmëria për të zbatuar reformat është thelbësore për të ruajtur demokracinë dhe vlerat evropiane. Në takim u konstatua bashkërisht se e gjithë mbështetja dhe përpjekjet e investuara nga të dy vendet, përfshirë edhe ndryshimet e ardhshme kushtetuese, janë në drejtim të sigurimit të një të ardhmeje evropiane për qytetarët”, njoftoi shërbimi për shtyp qeveritar.

Ai thekson se përveç aleancës dhe partneritetit në NATO, KB dhe OSBE, Gjermania këtë vit pati një rol të suksesshëm edhe në procesin e Berlinit që rezultoi me tre marrëveshje të nënshkruara për njohjen reciproke të kualifikimeve/diplomave akademike, kualifikimeve profesionale dhe dokumenteve të udhëtimit.

“Aleanca dhe kohezioni janë veçanërisht të dukshme në përputhje me BE-në dhe si aleatë të NATO-s në mbështetje të Ukrainës”, thuhet në kumtesë.

Qeveria thekson se vizita e sotme e Shtajnmajer është konfirmim i miqësisë dhe bashkëpunimit dhe se marrëdhëniet e ngushta të dy vendeve konfirmohen edhe përmes bashkëpunimit ekonomik.

“Gjermania është partneri i parë dhe më i madh ekonomik i Maqedonisë së Veriut, e cila eksporton rreth 45 për qind të totalit të eksporteve të saj në Gjermani. Rreth 200 kompani në Maqedoninë e Veriut janë kompani gjermane, duke përfshirë WPD, e cila investon rreth 500 milionë euro në një termocentral me erë me fuqi 415 KV në Kumanovë – Kriva Pallankë, dhe që paraqet një hap serioz në prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme”, njoftoi shërbimi për shtyp i Qeverisë.

Në kuadër të vizitës së presidentit Shtajnmajer, në Qeveri është zhvilluar takimi bilateral i dy delegacioneve. Nga ana e delegacionit qeveritar ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq, ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.