U promovua libri i profesor Agim Vincës për sagën e shkronjave shqipe

Në vazhdën e edicionit të katërt me radhë të Ditëve të Alfabetit, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup në bashkëveprim me Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës Shqipe, sot promovoi librin e prof. dr. Agim Vincës, me titull “Saga e shkronjave shqipe (Të thënat dhe të pathënat për Kongresin e Manastirit)”.
Drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, theksoi se është nderë i veçantë për institucionet tona dhe për kulturën e shkencën shqiptare në përgjithësi, që kemi botuar një libër i cili sjell para publikut një mënyrë ndryshe në trajtimin e temës së Kongresit të Manastirit.
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës Shqipe, Ylber Sela, tha se në këtë përvjetor të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, para nesh e kemi njërin nga studimet më të veçanta për këtë fushë.
Fjalë përshëndetëse pati edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, i cili e vlerësoi lartë kontributin arsimor, kulturor dhe shkencor të profesor Vincës.
Më pas rreth veprës në fjalë folën recensentët Rami Memushaj dhe Avzi Mustafa, të cilët u ndalën në disa nga vlerat dhe specifikat e këtij libri, ndër të rrallat e këtij lloji.
Në fund, fjalë rasti pati autori profesor Agim Vinca, i cili foli rreth librit në fjalë dhe rëndësisë së madhe kombëtare të Kongresit të Manastirit.
Manifestimi kulturor-shkencor Ditët e Alfabetit, mbyllet nesër me akademinë shkencore dhe konferencën kushtuar drejtshkrimit të gjuhës shqipe “Një gjuhë – një gjuhë”.