Zelensky u premton ukrainasve: Pas Khersonit, do të çlirojmë Krimenë

“Pas çlirimit të Khersonit, ne do të rikthejmë edhe Krimenë”, kështu është shprehur sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nëpërmjet një videomesazhi.

Zelensky tha se Ukraina do të shohë dhe shumë raste të tjera si çlirimi i Khersonit.

“Njëjtë do të jetë edhe në Genicheskt dhe Melitopol. Ne do të vijmë në të gjitha qytetet dhe fshatrat tona të Donbassit. Ne do të sigurohemi se si në Krime forcat ukrainase do të takohen me flamujt e Ukrainës, që do të jenë qindra në ditën e çlirimit”, është shprehur ai.

Ndër të tjera presidenti ka falënderuar të gjithë botën për ndihmën që i është dhënë Ukrainës.

Kievi festoi mbrëmjen e djeshme për herë të parë që nga nisja e luftës në Ukrainë.

Banorët e qytetit të çliruar Kherson ishin protagonistët kryesorë. Ata e kaluan natën në sheshin Maidan në Kiev duke festuar për çlirimin e qytetit të tyre.

Atmosfera festive vjen pas 9 muajsh lot dhe dëshpërim që kur nisi sulmi rus në 24 shkurt. Banorët e Kersonit që u nisën për në Kiev filluan të grumbulloheshin në sheshin Maidan rreth orës 19:00 të mbështjellë me flamuj, ata përqafonin njëri-tjetrin. Ish-kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Oleksandr Danylyuk, ka thënë për BBC-në se çfarë do të thotë rimarrja e Khersonit për bashkëkombësit e tij ukrainas.

“Është pothuajse si një festë kombëtare, të gjithë brohorasin, urojnë njëri-tjetrin,” tha ai.

“Pra, është një fitore e madhe, por ne e kuptojmë se lufta nuk ka mbaruar.”

Ai thotë se muajt e ardhshëm do të jenë më të vështirë, por shton se kur bëhet fjalë për motivimin mes trupave ukrainase: “Ne po mbizotërojmë”. Qyteti mund të jetë një portë për forcat e Ukrainës në të gjithë rajonin Kherson me dalje në Detin e Zi në perëndim dhe Detin Azov në lindje. Administrata ushtarake ruse e instaluar në jug të Ukrainës tha se forcat e Kievit po avanconin për në rajonin e Zaporizhias.