Frigoriferi i zbrazët dhe mungesa e ngrohjes brenda shtëpisë së familjes Iseni të fshatit dhe komunës Studeniçan të Shkupit flasin më së mirë për pasojat e krizës ekonomike dhe energjetike në vend. 37 vjeçarja Saime Iseni rrëfen për Alsat vështirësitë e përditshme të kësaj familje që për momentin varet vetëm nga ndihma sociale. Jeta bëhet edhe më e vështirë për shkak të sëmundjeve të ndryshme që kanë prekur këtë zonjë.
“Çka keni ushqim për momentin në shtëpi? Asgjë, vetëm një thes miell. Doktori më ka thënë tabletat me i marr me ushqim të fortë por unë nuk kam. Ndonjëherë dobësohem nga tabletat, alivanosem, më dhembin këmbët, nuk kam të bëj incizim. Kam nevojë të shërohem, ushqim të mirë nëse ka mundësi dikush të më blej. Të kem shëndet, bukë e krip e të kem shëndet…..(qan)…Tash me këto shtrenjtimet edhe më keq është bë gjendja juaj…Ti e ke edhe një vajzë? Po, e kam, kujdeset vajza e kunatit se nuk mundem vet, më dhembin të dy këmbët. Nuk e mban këtu për shkak të shtëpisë? Po, ftohtë është”, tha Saime Iseni, banore e fshatit Studeniçan.
Përveç shtrenjtimeve të ushqimit, gjashtë anëtarët e kësaj familje kanë frikë sezonin e dimrit për shkak të mungesës së druve për ngrohje.
“A keni nis me u ngroh me diçka? Kemi nis me këtë ngrohësen, as dru nuk kemi, ku rryma ku druri, ku ushqimi, djalit qumësht me I ble, nuk kemi para. Fqinjët na kanë dhënë, kanë ble qumësht dhe ma kanë dhënë se unë katastrofë jam. Kur ishte më lirë më lehtë ishte, tash shumë shtrenjtë, ka hip vaji, ka hip mielli, të gjitha janë shtrenjtuar”, shtoi Shabi Iseni, banor i fshatit Studeniçan.
Siç thanë familjarët, ndihma sociale rreth 100 euro shpenzohet brenda tre ditësh. Deri në ndihmën e radhës pesë anëtarët e kësaj familje mbeten nën mëshirën e njerëzve human.
“Tash ki me i marr 100 euro, çka do të bësh fillimisht me ato 100 euro? Do të blej sheqer oriz, vaj me përgatit gjellë, po edhe ato nuk dalin, të tjera nuk ka. Nëse blejmë diçka mirë, nëse jo shëndosh, do të rrimë kështu. Brenda është ftohët, jashtë pak më nxehtë po brenda ftohtë”, u shpreh Bekim Iseni, banor i fshatit Studeniçan.
Numri i qytetarëve të Maqedonisë që jetojnë në varfëri ekstreme është në rritje. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se pothuajse 452 mijë qytetarë kanë jetuar nën kufirin e varfërisë në vitin 2020. Shkalla e të varfërve nga popullsia e përgjithshme është 21.8%, që është një rritje në krahasim me vitin 2019 kur kjo përqindje ishte 21.6. Sipas statistikës, varfëria më e madhe gjendet në familjet me katër anëtarë, me dy fëmijë nën moshën 14 vjeç. Gjithashtu, varfërinë më së shumti e ndjejnë të rinjtë deri në 17 vjeç 30.3%, pasuar nga mosha 18 deri në 64 vjeç me 21.1%, ndërsa përqindjen më të ulët e kanë pensionistët 13.4%, pra personat mbi 65 vjeç që jetojnë në varfëri.