Putin lejon kriminelët t’i bashkohen ushtrisë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një ligj që lejon të mobilizohen personat që kanë kryer krime të rënda, teksa Kremlini po vazhdon të grumbullojë trupa për luftën e saj në Ukrainë pasi është përballur me ngecje.

Duke folur para disa të rinjve dhe vullnetarëve në Moskë më 4 nëntor, Putin tha se 318.000 persona i janë bashkuar luftës qëkur u shpall mobilizimi në shtator, përfshirë edhe 18.000 vullnetarë.

Ky fjalim i Putinit vjen po të njëjtën ditë që ai nënshkroi një ligj që lejon mobilizimin e personave që kanë të kaluar kriminale, përfshirë edhe ata që kanë kryer krime të rënda. Nga mobilizimi janë përjashtuar personat e dënuar për krime seksuale ndaj fëmijëve, për tradhti, spiunim apo terrorizëm.

“Me sa e di unë, 49.000 mijë nga të mobilizuarit veçse kanë kryer detyra luftarake, ndërkaq të tjerët janë duke u trajnuar”, tha Putin.

Rusia fillimisht pushtoi territore të mëdha të Ukrainës, pasi nisi pushtimin në shkurt, por për muaj të tërë Kremlini ka pësuar humbje të mëdha të ushtarëve dhe territoreve, për shkak të dy kundërofensivave ukrainase.

Ngecjet në fushëbetejë, që ia kanë vështirësuar Rusisë mbajtjen e fronteve në pjesën jugore dhe lindore të Ukrainës që ende janë të pushtuara, e kanë detyruar Kremlinin që të shpallë mobilizim dhe gjithnjë e më shumë po varet nga mercenarët apo trupat çeçene për të mbushur radhët.

Bashkëpunëtori i Putinit, udhëheqës i grupit privat ushtarak Vagner, Yevgeny Prigozhin, raportohet se ka rekrutuar mijëra të burgosur rusë për luftën në Ukrainë.
Putin tha më 4 nëntor se vazhdojnë përpjekjet për rekrutimin e vullnetarëve, pavarësisht shumë treguesve se mobilizimi nuk është popullor në Rusi./rel/