Ligji i ri i Konsumatorëve të cilin e paralajmëruan autoritetet nuk mund t’i stabilizojë çmimet e ushqimeve. Megjithatë, nëse një tregtar nuk respekton rregullat dhe masat tregtare të vendosura nga organet, do të ballafaqohet me gjobë të lartë ndërsa dyqani i tij mund të mbyllet. Organizata për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve për Alsat thotë se çmimet e ushqimeve tregtarët i përcaktojnë lirshëm.
“Ka mendime që dënimet të jenë më të larta, nëse shkelet ajo që është miratuar si masë nga qeveria, pra do të ketë dënime më të mëdha për ata që shkelin masat që i miraton Qeveria”, tha Tatjana Tashevska- Organizata e konsumatorëve.
Sipas autoriteteve, ligji do t’i japë fund praktikave të pandershme tregtare dhe hapësira për manipulimin e çmimeve të ushqimeve do të jetë minimum.
“Kjo praktikë e caktuar tregtare është e padrejtë nëse dëmton materialisht interesin ekonomik dhe sjelljen e konsumatorit mesatar në lidhje me produktin”, njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë.
Tregtarët do të gjobiten nëse ofrojnë informacione të pasakta, mashtrojnë konsumatorët ose i bindin në mënyrë agresive qytetarët që të blejnë diçka. Ligji i ri i Konsumatorëve parashikon gjobë nga 500 deri në 1000 euro për mikro-firmat dhe 150 euro për personin përgjegjës. Gjobat për një tregtar të vogël janë dyfish më të mëdha, në rast se tregtari i mesëm i regjistruar shkel rregullat, mund të fitojë gjobë nga dy deri në pesë mijë euro dhe 350 euro për kreun e kompanisë. Gjoba më e lartë është për tregtarët e mëdhenj që sillet nga pesë deri në dhjetë mijë euro dhe 500 euro për personin përgjegjës. Gjoba prej 50 euro parashikohen edhe për tregtarët individual. Gjithashtu, parashikohet ndalim i përkohshëm i kryerjes së veprimtarisë për periudhë prej tre muaj deri në dy vjet, nga gjykata kompetente për tregtarin e mesëm dhe tregtarin e madh dhe nga 15 deri në 30 ditë për tregtarin mikro dhe të vogël, nga Komisioni për vendimmarrje ndaj kundërvajtjes./Alsat.mk