Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dje miratoi më tepër ligje në kuadër të vazhdimeve të seancës së 73-të, 79-të, 82-të dhe 88-të.
Në seancën e 79-të, deputetët miratuan me procedurë të shkurtuar Propozim-ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve. Ligji u miratua me 61 vota “për” dhe asnjë votë “kundër” ose “të përmbajtur”. Për Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve sipas parimit të Badenterit votuan edhe 31 deputetë.
Është miratuar edhe propozim-ligji për plotësim të Ligjit për kujdesin shëndetësor, pas procedurës së shkurtuar, të propozuar nga një grup deputetësh.
Në kuadër të seancës plenare të 88-të, Kuvendi në vazhdimin e sotëm miratoi Propozim-vendimin për ndryshimin e Vendimit për shkarkimin dhe emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit për Ndarjen e Çmimit Shtetëror “22 Nëntori”. Për këtë Vendim votuan 59 deputetë, pa vota “kundër” dhe “të përmbajtur”. Anëtarët e rinj të Këshillit për Ndarjen e Çmimit Shtetëror “22 Nëntori” u propozuan nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime.
Nga rendi i ditës së seancës së 88-të janë miratuar edhe dhjetëra ligje të tjera mes të cilave Propozim-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim në fushën e diasporës, Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për mjekim, Propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për materialin riprodhues të llojeve të drunjve pyjorë, Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, me procedurë të shkurtuar (82 vota “për” dhe 30 sipas parimit të Bandeterit);
Është miratuar edhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për efikasitetin energjetik dhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për energjetikë, me procedurë të shkurtuar, por edhe Propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për rezervat e detyrueshme të naftës, me procedurë të shkurtuar.
Në kuadër të seancës së 82-të, Kuvendi dje miratoi Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për shërbimin gjyqësor, me procedurë të shkurtuar, për të cilin votuan 92 deputetë, pa vota “kundër” dhe “të përmbajtur”. Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për shërbimin e prokurorisë publike, me procedurë të shkurtuar, është miratuar me 94 vota “për”. Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve, me procedurë të shkurtuar, mori mbështetjen e 93 deputetëve.
Kuvendi miratoi edhe Propozim-ligjin për ratifikimin e ndryshimit dhe plotësimit të Aneksit 4 të Marrëveshjes së Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA 2006), duke përcaktuar Protokollin në lidhje me përkufizimin e nocionit “produkte me origjinë” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ të theksuar në nenin 14 paragrafët 1 dhe 3 në përputhje me Vendimin e Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Evropës Qendrore për Tregti të Lirë nr. 1/2021 të miratuar më 21 qershor 2021 për shfuqizimin dhe zëvendësimin e Vendimit nr. 3/2013 dhe Vendimit 3/2015 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Evropës Qendrore për Tregti të Lirë. Ligji u miratua me 65 vota “për”, në vazhdimin e seancës së 73-të.