Aksident i rëndë trafiku në Itali, humbin jetën katër shqiptarë

Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur të dielën në darkë në Parma të Italisë. 4 persona, të gjithë shqiptarë, kanë ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti automobilistik.

Mediat shkruajnë se ka mbetur i plagosur edhe 1 person tjetër, i cili është dërguar në spital në gjendje të rëndë.

Identiteti i viktimave nuk është bërë me dije, por mësohet se ata janë të moshave 22 vjeç, 12 vjeç, 8 vjeç dhe më i vogli, 2 vjeç.

Sipas asaj që shkruajnë mediat, shoferi, i cili ndodhet në gjendje të rëndë ishte partneri i 22-vjeçares. Ata ishin prindër të fëmijës 2-vjeçar.

Të tjera media shkruajnë se dy fëmijët e tjerë, 8-vjeçari dhe 12-vjeçari që ndërruan jetë, ishin vëllezërit e 22-vjeçares.

4 viktimat dhe i plagosuri po udhëtonin me një makinë tip “Fiat Stilo”.

Por rrugës drejt Parmës, shoferi ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me një shtëpi të pabanuar.

Shkaku i aksidentit është ende i paqartë. Megjithatë si pasojë e përplasjes dëmtimet ishin shumë të rënda.

Makina u shkatërrua pothuajse e gjitha, ndërsa të gjithë fëmijët dhe gruaja nuk mundën t’i mbijetojnë dot plagëve./tvklan.al