Ministria e Arsimit dhe Shkencës vazhdimisht investon në arsimin inkluziv. Ndërtimi i sistemit arsimor më të mirë nënkupton ofrimin e mundësive për çdo fëmijë, sipas potencialit të tij, në përputhje me njohuritë dhe aftësitë që i nevojiten për të qenë pjesëmarrës i rëndësishëm dhe aktiv në jetën shoqërore. Për këtë qëllim janë përzgjedhur 118 shkolla fillore, nga të gjitha komunat e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në të cilat do të realizohen intervenime për përmirësimin e aksesit deri te dhe në objekte, si dhe për përmirësimin e kushteve higjenike -sanitare.
Ekipi i Ministrisë së bashku me ekspertë, në bazë të kritereve që kanë të bëjnë me përmbushjen dhe shfrytëzimin e kapaciteteve, inspektuan gjendjen në të cilën ndodhen dhe përzgjodhën objektet shkollore në të cilat do të ndërtohen rampat hyrëse, do të rinovohen nyjet sanitare dhe do të ndërtohen tualete të posaçme për fëmijët me zhvillim atipik, ndërsa në disa shkolla do të rinovohet zdrukthtaria e brendshme dhe dyshemetë.
Në këtë aktivitet për krijimin e shkollave pa barriera, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka mbështetjen e Bankës Botërore, në kuadër të Strategjisë së re katërvjeçare të Bankës për partneritet me vendin për periudhën 2019-2023.
Rikonstruksioni i shkollave është pjesë e Projektit për avancimin e arsimit fillor, qëllimi kryesor i të cilit është përmirësimi i kushteve të mësimit në arsimin fillor në vend. Vlera e përgjithshme e projektit është 21.5 milionë euro dhe i njëjti do të realizohet përmes Njësisë për menaxhimin e projekteve në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.