Sa kanë kursyer rrymë institucionet e Maqedonisë, publikohen të dhënat

Qeveria, gjykatat, Kuvendi, presidenti i shtetit, EMV dhe MEPSO në muajin shtator të këtij viti kanë kursyer gjithsej 20 përqind rrymë elektrike, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas analizës që sot e prezantoi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, nëse merren parasysh të dhënat konsumatore vetëm nga ndërtesat administrative të ministrive, presidentit të shtetit, Kuvendit, Qeverisë, EMV-së dhe MEPSO-s, kursimi i energjisë elektrike arrin në 25 përqind, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Njëkohësisht, gjashtë subjekte kanë ulur konsumin e energjisë në muajin shtator, por nuk kanë arritur kursime prej 15 për qind sipas detyrimeve, ndërsa subjektet e mbetura kanë realizuar kursime prej 15-73 për qind, shumica prej 25 deri në 35 për qind.

Bekteshi tha se vetëm ndërtesa administrative e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale ka rritur konsumin e energjisë për 81 për qind, kurse kursimi më i madh është bërë në objektin administrativ të SHA EMV prej 75 për qind.

Kursimi i energjisë elektrike në ndërmarrjet shtetërore është tetë për qind dhe mbulohen gjithsej 17 kompani shtetërore. Nga ana tjetër, komunat, të cilat kishin rekomandim për kursim të energjisë elektrike, në shtator e kanë ulur konsumin e energjisë elektrike për gjithsej 29 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Sipas të dhënave, kursimi i energjisë elektrike në ndërtesën e Qeverisë është 25 për qind, në MPB 21 për qind, në Ministrinë e Kulturës 40 për qind, Ministrinë e Arsimit 35 për qind, Ministrinë e Sistemit Politik 22 për qind, Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve 30 për qind, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale 36 për qind, Ministria e Financave 32 për qind dhe Ministria e Ekonomisë 30 për qind.

Siç theksoi Bekteshi, kursimet më të vogla janë bërë në ndërtesën administrative të Ministrisë së Shëndetësisë prej dy për qind, e ndjekur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes me nga tetë për qind kursime.

Sipas analizave, Kuvendi ka kursyer 29 për qind të konsumit të energjisë elektrike, ndërsa Presidencia 17 për qind.