Shtetet duhet të sigurohen që përfitimet sociale dhe pagat të rriten në linjë me inflacionin.
Kështu ka thënë Olivier De Schutter, ekspert i Kombeve të Bashkuara për varfërinë ekstreme dhe të drejtat e njeriut, duke shtuar se në të kundërtën njerëzit mund të përballen me uri.
“Nuk është hiperbolë nëse them që nëse qeveritë nuk rrisin përfitimet dhe pagat në përputhje me inflacionin, do të ketë jetë të humbura”, ka thënë De Schutter.
Rritja e kërkesës për produkte dhe shërbime tjera, pas heqjes së masave kufizuese për luftim të pandemisë COVID-19 dhe lufta e Rusisë në Ukrainë, besohet se janë dy shkaqet kyçe që kanë ndikuar në rritje të inflacionit në shumë vende të botës.
“Sikurse me pandeminë, më të cënueshmit janë duke paguar çmimin e zhvillimeve botërore. Krizat e kombinuara pritet të përballin 75 deri në 95 milionë njerëz më shumë me varfëri ekstreme vetëm këtë vit. Qoftë në Evropë, ku inflacioni ka prekur një rekord prej 10 për qind, apo në Afrikën nën-sahariane, ku çmimet e ushqimit janë rritur për gati 24 për qind, buxhetet familjare në gjithë botën janë duke tkurrur përtej pikës kritike”, ka thënë mes tjerash ai.
De Schutter u ka bërë thirrje qeverive në hemisferën veriore që të veprojnë shpejt për të izoluar shtëpitë, para stinës së dimrit.
Eksperti belg u ka bërë thirrje shteteve që të përfshijnë njerëzit që jetojnë në varfëri, në politikat që synojnë të luftojnë rritjen e çmimeve të jetesës.