KE: RMV është mesatarisht e përgatitur për luftën kundër korrupsionit

Maqedonia e Veriut ka marrë vlerësimin “mesatarisht të përgatitur” në luftën kundër korrupsionit, në Raportin e fundit të Komisionit Evropian.

Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varheј, theksoi se vendi duhet të zbatojë reformat e BE-së dhe lufta kundër korrupsionit të vazhdojë përmes administratës publike, shkruan Alsat.

“Vendi duhet të vazhdojë edhe më shpejt dhe të përdorë procesin e shqyrtimit për të realizuar potencialin e tij të plotë, për të përshpejtuar zbatimin e reformave. Lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë dhe në këtë drejtim reforma në administratën publike është domethënëse”, tha Oliver Varhei – Komisioner i BE-së për Zgjerim.

Sipas Brukselit, Komisioni Kundër Korrupsionit ka qenë proaktiv në trajtimin e rasteve të nepotizmit, punësimeve për shpërblim dhe ndikimit politik në procesin e punësimit. Sipas anëtarëve të këtij Komisioni, korrupsioni mbetet në tre problemet kryesore të theksuara nga qytetarët. Vladimir Georgiev theksoi se është e nevojshme të ketë procedura efikase disiplinore.

“Ajo që është ende problem në vendin tonë është niveli i ulët i përgjegjësisë etike, pra mos respektimi i parimeve dhe standardeve etike nga zyrtarët e të gjitha niveleve të strukturës administrative, kjo natyrisht përfshin personat e zgjedhur dhe të emëruar. Prandaj, duhet të bëhen përpjekje proaktive për të forcuar integritetin”, u shpreh Vlladimir Georgiev -anëtar i KSHPK.

Georgiev shton gjithashtu se vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet për krijimin e kanaleve për denoncimin e dyshimeve për korrupsion.

“Ne kemi një ligj për mbrojtjen të informatorëve dhe tashmë kemi një numër të madh personash që denoncojnë korrupsionin, dhe kërkojnë të mbrohen sipas këtij ligji dhe shpesh i drejtohen Komisionit Kundër Korrupsionit”, theksoi Vlladimir Georgiev -anëtar i KSHPK.

Përveç luftës kundër korrupsionit, në raportin e fundit, Brukseli e vlerësoi sistemin ligjor të vendit si “të përgatitur mesatarisht”./ Alsat.mk