Shefi i inteligjencës britanike: Rusisë po i mbarojnë municionet, miqtë dhe ushtarët

Jeremy Fleming, shef i agjencisë së spiunazhit GCHQ, tha për BBC Radio se Rusisë po i mbarojnë municionet, miqtë dhe ushtarët, pas më shumë se shtatë muaj lufte.

Presidenti rus Vladimir Putin deri më tani ka qëndruar brenda doktrinës së vendosur ushtarake të mospërdorimit të armëve bërthamore, tha Fleming.

“Unë mendoj se do të shohim shenja nëse ata do të marrin vendimin për përdorimin e armëve bërthamore, “ tha ai, pa theksuar se cilat mund të jenë ato shenja.

Fleming tha gjithashtu se është i sigurt se Putini është i shqetësuar për rreziqet e përshkallëzimit dhe kjo mund të jetë një shenjë pse ai ende nuk ka miratuar përdorimin e armëve bërthamore.

Sipas tij, rusët kanë filluar të kuptojnë situatën e dëshpëruar në të cilën ndodhet Moska në konflikt. Ata e dinë se Putini ka gabuar, ata e dinë se aksesi i tyre në teknologjitë moderne dhe ndikimet e jashtme do të kufizohet në mënyrë drastike.

Dhe ata e kuptojnë kostot e tmerrshme të luftës dhe mobilizimit ushtarak.