Nga 1 tetori, Italia rrit me 59% çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët

Autoriteti italian i shpërndarjes së rrjetit të energjisë kombëtare, ARERA, ka informuar sot se prej datës 1 tetor, çmimi i energjisë do të rritet me 59%.

Shpenzimet vjetore për faturat e energjisë elektrike do të rëndojnë mesatarisht 1322 euro për familje.

Deri më sot çmimi mesatar i energjisë për familje është 632 euro në vit, e prej 1 tetorit 2022 do të jetë mesatarisht 1322 euro.

Autoriteti Kombëtar i Shpërndarjes së Energjisë ka informuar se ka bërë të pamundurën për të reduktuar rritjen me 100% të çmimit të energjisë.

“Çmimet shumë në rritje të blerjes me shumicë të gazit, tensionet financiare e preokupimet mbi gazjellësit, kanë provokuar një rritje me 100% të çmimit të energjisë”, informon ky Autoritet, por falë ndërhyrjes së qeverisë me draftligjin “Ndihmat bis” si dhe shtyrjes së jashtëzakonshme nga ky autoritet i rekuperimit të nevojshëm të çmimeve të buxhetuara për tremujorin e fundit të kostos reale të energjisë, është evituar ky dyfishim, duke çuar vetëm në 59% të rritjes së faturave për konsumatorët italianë.

“Një dyfishim i faturave të energjisë do të sillte një rritje dhe të kostos së faturave të prapambetura, duke vënë në vështirësi familjet e sistemin shpërndarës të energjisë”, është shprehur kreu i Autoritetit Kombëtar Italian të Shpërndarjes, Stefano Beseghini.

Sipas parashikimeve të ekspertëve, çmimi i energjisë në Itali rritet me 66.6 cent për kilovat.

Deri pak muaj më parë, Italia importonte rreth 40% të gazit rus e gjatë javëve të fundit ka mundur ta evitojë përmes rrugëve alternative e marrëveshjeve të reja me vende si Algjeria e Azerbaxhajni./oranews/