Një këngë me nëntë… – Lebit Murtishi nga Struga

Një këngë me nëntë…

(Telete Hoxhës – Heroinës së heshtur ladorishtare)

Atje mori udhët kjo këngë me nëntë
Atje te mullinjtë, atje te përrenjtë
Atje ku shkëmbinjtë lidhin shtat e rrënjë
Atje ku mbajn’ iso era dhe rrufetë…

Atje ku legjenda trembëdhjet’pranverash
Zbriti vet në lëmë njëher’ e një kohë
Jam Telete Hoxha – tha jam këngë shkrepash
Dhe rrëmbeu bishat me kresht’ e me thonjë…

Dhe kënga me nëntë mori arratinë
Dhe u skuqën malet, përrenjtë dhe lisat
Sa her’ gjëm’ e zezë ra mbi Shqipërinë
Aq her’ Ladorishti ka skuqur këmishat…

04.01.2020
Bern