OPINION/ANALIZE
Shkruan: Zeqirija Ibrahimi
Për një shqiptar të këndejkufirit, e kemi fjalën për kohën e Xhemijetit, të ishe mysliman kjo nënkuptonte të ishe edhe shqiptar dhe ta mbroje identitetin fetar, kjo nënkuptonte ta mbroje edhe identitetin kombëtar. Ta luftoje reformën agrare dhe kolonizimin, si dhe ta luftoje shpërnguljen e shqiptarëve për Turqi, nuk kishte vepër më patriotike në atë kohë. Kjo ishte betejë për ta mbrojtur qenien biologjike, por edhe politike shqiptare.
Sa herë që e studiojmë të kaluarën, problemi i studiuesve mbetet qasja studimore, sepse shpeshherë ata nuk mund të çlirohen krejtësisht nga subjektivizmi i aktualitetit dhe jo rrallëherë të kemi analiza dhe kualifikime që rezultojnë si të pasakta ose, edhe më keq, tendencioze. Një fat të tillë e ka edhe organizata politike “Islam Muhafezen Hukuk Xhemijeti” (Organizatë për Mbrojtjen e të Drejtave të Myslimanëve), që më vonë e mori emrin “Organizatë e Myslimanëve të Serbisë Jugore” dhe e cila në historiografinë shqiptare njihet me emrin “Xhemijeti”.
Në kontekst të asaj që e thamë në fillim, sot për një shqiptar të shek. XXI është pak e kuptimtë si mundet që një organizatë politike që i mbron interesat kombëtare të shqiptarëve ta ketë emrin arab/turk. Kjo mund të ishte temë e veçantë edhe një për shumë tema të historisë sonë kur ato gjykohen nga perspektiva të aktualitetit. Sidoqoftë, në këtë artikull do të flasim për identitetin politik të Xhemijetit.
Emri
Ashtu si e thamë më sipër, emri i kësaj organizate ishte më i gjatë, ndërsa ajo njihej shkurtimisht me emrin Xhemijet. Në fakt, rrënja e kësaj fjale është nga arabishtja, që nënkupton bashkësi/komunitet (të njerëzve, të pjesëtarëve të një kombi, të një besimi etj.), madje ajo fjalë edhe sot e kësaj dite përdoret në trajtën e komunitetit të xhamisë (xhemat). Nëse edhe sot në mjedise religjioze shqiptare të Maqedonisë dhe Kosovës (por edhe të Shqipërisë tashmë) përdoret termi xhemat, duhet të jemi shumë të sigurt se në fillim të shekullit të shkuar, kur nuk ishte bërë as një dekadë e ndarjes së shqiptarëve nga Perandoria Osmane dhe kur kontaktet e shqipes me osmanishten vazhdonin të rridhnin, një emër i tillë ishte fare lehtë i pranuar dhe nuk do të duhej të kishte asgjë kontestuese.
Këtu duhet theksuar edhe diçka tjetër. Nga fundi i gushtit të vitit 1908 shqiptarët e formuan klubin “Bashkimi” (në turqisht edhe ai njihej si “Xhemijet”), nën emrin e të cilit u ftua edhe Kongresi i Manastirit dhe i cili do ta botojë edhe gazetën “Shkupi” (në më 1911-1912). Kjo i bie se Xhemijeti i viteve 1919-1925 mund të ishte një anë tjetër e medaljes së Bashkimit të viteve 1908-1912. Sidoqoftë, Xhemijeti ishte një fjalë e pranuar gjerësisht për shqiptarët e asaj kohe. E, nëse kësaj i shtohet edhe konteksti i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, e cila i ndalonte partitë politike etnike (Mbretëria SKS i njihte si kombe vetëm serbët, kroatët dhe sllovenët, ndërsa të tjerët i lejonte të organizoheshin në grupe religjioze), që ishte mundësia e vetme legale për të artikuluar kërkesa politike, por edhe faktit se – përmes emrit – kamufloheshin interesat e shqiptarëve nën interesat e bashkësive të tjera religjioze, zgjidhja e emrit të organizatës politike mund të duket një mënyrë e mirë e përfaqësimit politik të shqiptarëve në ato rrethana. Të përkujtojmë se në kohën kur rrezikohej të zhbëhet plotësisht qenia jonë kombëtare sigurisht tema më pak e rëndësishme do të ishte se si do të quhej organizata që do ta kryente rolin e kësaj mbrojtjeje.
Xhemijeti dhe nacionalizmi shqiptar
Nëse Xhemijetin e vështrojmë nën llupën e nacionalizmit shqiptar, detyra e parë që duhet ta bëjmë është që ta përkufizojmë për çfarë nacionalizmi flasim. Nëse me nacionalizëm shqiptar nënkuptojmë unifikimin e kombit me shtetin, siç projektohej nga Sami Frashëri në “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘është dhe ç’do të bëhetë”, i bie të themi se Konferenca e Londrës e vulosi se shqiptarët së paku edhe një kohë nuk do të mund të ishin në një shtet të përbashkët, andaj edhe nuk mund të flitej për nacionalizëm shqiptar në kuptimin rilindës të tij. Prandaj, nacionalizmin shqiptar kundrejt Xhemijetit duhet ta vështrojmë më shumë në rrafshin identitar, arsimor e kulturor. Dhe, në këtë drejtim, mund të themi se Xhemijeti u angazhua për mbrojtjen e qenies shqiptare në Mbretërinë SKS, natyrisht të mbuluar nën petkun e religjionit islam. Janë dhjetëra dëshmi se Xhemijeti në kërkesat e veta kërkonte arsim në gjuhën amtare, që për shqiptarët nënkuptonte arsim në gjuhën shqipe. Kështu, fjala bie, në programin themelor 10-pikësh të Xhemijetit, artikulohej edhe kërkesa për arsim në gjuhën amtare: “4. Gjuhë amtare për popullatën josllave, përkatësisht myslimane në arsimin fillor, dhe autonomi në funksionimin e shkollave;” Ose, në Proklamatën e zgjedhjeve të vitit 1920, nga Xhemijeti bëhej kjo thirrje: “Po afrohen zgjedhjet për Kuvendin Ligjdhënës. Nëse dëshirojmë të jetojmë të lirë e me drejtësi, në rajonet ku jetojmë, t’i fitojmë liritë fetare, të drejtat kombëtare dhe qytetare, duhet të gjithë të marrim pjesë në zgjedhjet që do të mbahen më datë 28 të këtij muaji.”. Ndërkaq për elementin e barazisë në kërkesat e Xhemijetit thuhej: “Të praktikohet barazia, pa asnjë dallim nga popujt e tjerë në këtë shtet”, si dhe: “Shteti të mos bëjë diferencim mes serbëve dhe myslimanëve.”
Xhemijeti, duke synuar mbrojtjen e territoreve etnike shqiptare nga kolonizimi, që stimulohej përmes reformës së famshme agrare (që ua merrte pronat shqiptarëve dhe sillte aty kolonë serbë), në fakt e mbronte gjeografinë shqiptare në ato troje. Fjala bie, po në atë program disa pika i kushtohen kësaj:
- Ruajtja e vakëfit dhe të mirave të tjera materiale;
- Përjashtimi i vakëfit nga sekuestrimi ose kompensimi me marrjen e të mirave materiale;
- Përjashtimi i pronave të bejlerëve nga reforma agrare, me përkushtim në përcaktimin e rregullimit të çështjes së reformës agrare;
- Nga viti 1912, pa pëlqimin e pronarëve, ishin marrë pronat e bejlerëve, dhe ishin vënë nën pushtetin serb dhe nën administrimin e dhunshëm të armiqve. Organizata angazhohet për kthimin e pronave në gjendjen e para vitit 1912.
Në aspektin e angazhimit për arsim në gjuhë amtare, po i sjellim edhe disa elemente të tjera që e përdëftojnë këtë. Në një tubim të mbajtur në Shkup më 25 shkurt 1921 në Shkup, ku morën pjesë shumë delegatë të Xhemijetit, u fol kryesisht për arsimin dhe aty, madje, u kërkua “Hapja e shkollave për arsimim fillor, të mesëm dhe të lartë…” por edhe që: “Gjuha serbe të mësohet në mënyrë fakultative si gjuhë e huaj”, që i bie se gjuhë e detyrueshme duhej të ishte gjuha amtare. Në kontekst të shkollave ka edhe një listë pikash, të miratuara në Kuvendin e Xhemijetit, të mbajtur në qershor të vitit 1911 në Shkup, ku për çështjen e arsimit në gjuhën amtare ishte shkruar:
- Myslimanët e trevave verilindore, të kenë shkollat e tyre, me të cilat do të udhëheqë Organizata Myslimane. Në këtë shkolla duhet të punohet sipas programeve të përgatitura nga organizata;
- Të kërkohet nga shteti kredia e nevojshme për mbajtjen e këtyre shkollave;
- Gjuha amtare lirisht të mësohet në shkollat myslimane;
Në lidhje me qëndrimin e Xhemijetit ndaj arsimit në gjuhën amtare e kemi edhe një dokument të legatës franceze në Shkup, në të cilën konsulli frëng i njoftonte autoritetet në Francë se “ata duan që fëmijët e tyre të mësojnë serbisht, por duan gjithashtu edhe mësimin e gjuhës amtare, d.m.th gjuhën turke ose shqipe”Madje, kur bëhet fjalë për botimet në gjuhën shqipe, Xhemijeti do të jetë edhe më i drejtpërdrejtë: “T’u lejohet shtypshkronjave të botojnë libra në gjuhën shqipe dhe turke për shkollat, për shembull Abetare”
Kur i shikon këto kërkesa në këtë kohë, ato janë gati të njëjta me kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë në këtë kohë. Mjafton të kujtojmë se shqiptarët e Maqedonisë edhe në shekullin tonë në dokumentet e shtetit e quajnë gjuhën shqipe “gjuhë që e flasin mbi 20% të popullsisë” dhe tashmë askujt gati nuk ia vret veshin fakti se nuk përdoret togu “gjuha shqipe”.
Familja Draga
Një element tjetër që e vulos identitetin shqiptar të Xhemijetit është pa dyshim familja që e barti këtë organizatë, pra familja Draga. Edhe nëse, për shkak të gjuhës së kamufluar ose termave politikë të përdorur në artikulimet e Xhemijetit, mjegullohet diçka në identitetin e saj, janë Nexhib dhe Ferhat Draga, dy themeluesit dhe bartësit e Xhemijetit, kujdestarët dhe dëshmitarët e identitetit shqiptar të tij. Në të vërtetë, familja Draga njihet edhe si pjesëmarrëse në shpalljen e pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912, ku ishte nënshkruar edhe Ajdin Draga, vëllai i Nexhibit dhe Ferhatit. Ndërsa familja Draga më parë ishte pjesëmarrëse edhe në Lidhjen Shqiptare të Pejës më 1899, ku përmendet Ali Pashë Draga.
Identitetin e fuqishëm etnik të Dragajve e konfirmojnë edhe shumë dokumente të tjera, raporte të konsujve etj., një pjesë e të cilëve po i sjellim edhe këtu më poshtë. Kështu, për shembull, konsulli italian në Shkup, duke raportuar për arrestimin e Ferhat Dragës, do të thotë se ai akuzohej për irredentizëm shqiptar. Ndërkaq në një fjalim që e kishte mbajtur Ferhat Draga në Kuvendin Popullor në Beograd më 20 mars 1924, ai do të shprehet vet se: “Nuk e kam gjuhë të nënës gjuhën serbe; gjuha ime është gjuha arnaute (shqipe), prandaj sërish po them të më falni nëse gjatë fjalëve të mia harroj ndonjë shprehje. Nuk jam shkolluar në gjuhën serbe.”
Ferhat Draga përmendet edhe si bashkëpunëtor i Komitetit të Kosovës. Kur u arrestua, ai u akuzua edhe për bashkëpunim me këtë organizatë. Po ashtu në atë rast ai akuzohej edhe si bashkëpunëtor i Hasan Prishtinës. Në aktakuzë thuhej: “Sepse gjatë okupimit ka qenë kryetar i komunës dhe në shoqëri me Dervish Beun dhe Hasan bej Vuçitërnën ka bërë organizim për regjistrimin e vullnetarëve në ushtrinë austriake.” Madje, nipi i Ferhat Dragës, Shefketi, ishte vrarë pikërisht si bashkëpunëtor i Komitetit të Kosovës.Si aktivist të çështjes shqiptare dhe i shtetit shqiptar, Ferhat Dragën e njihte edhe diplomacia perëndimore. Kështu në një raport të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, mes tjerash, thuhej: “Në njërën prej tyre paraqitet veçanërisht aktiviteti i këtyre muajve të fundit nga eksponenti më autoritar i pakicave shqiptare në Jugosllav, zotit Ferhat bej Draga, i cili – i thirrur në Kostandinopojë nga Zogu – ka marrë udhëzime nga ai për linjën që duhet të ndjekë ndaj Jugosllavisë dhe situatës së re të krijuar në Shqipëri.” Ndërkaq, në një raport të konsullit mbretëror për shtetin shqiptar thuhej:
Është lajm tërësisht fals se Ferhat Draga merr para nga Qeveria e Beogradit. Ai është persekutuar rregullisht nga të gjitha regjimet e Beogradit, me çdo lloj keqtrajtimi, burgosje e sekuestrim pasurie. Në fakt, në vitet 1923-1924, kur ishte kreu i partisë së quajtur “Xhemijet”, e cila në radhët e veta kishte 20 deputetë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin shqiptarë dhe boshnjakë myslimanë, mbronte pakicat shqiptare në Dhomën politike, ndërkohë që presidenti i Këshillit Nikolla Pasto e burgosi dhe e shkriu partinë e tij.
Të gjitha citime dhe faktet dëshmojnë se Xhemijeti ishte një organizatë politike me strumbullar shqiptar, e cila kishte gjetur rrugën, që nën një emërtim dhe mbulesë tjetër, t’i artikulonte dhe mbronte interesat e shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë. Për këtë në një artikull të gazetës “Politika” të 20 marsit 1923 thuhej: “Organizata e myslimanëve të Serbisë Jugore me emrin “Xhemijet” ka punuar nën maskën për tendenca arsimore-kulturore, andaj është lejuar veprimi i saj në tërë popullatën myslimane në viset jugore.” Madje, edhe më vonë (më 1940) në një raport të Regjimentit të xhandarmërisë së Vardarit, që i drejtohej Komandantit të Zonës III Ushtarake, përsëri thuhej: “Shumica janë përcaktuar për SHQIPËRI TË MADHE nën protektoratin e Italisë. Udhëheqësit Ferhat bej Draga, Sherif Voca, Iljaz Agusheviq, Shabani nga Mitrovica e Kosovës etj. – e kanë zhvilluar aktivitetin e jetës, duke u kamufluar mbi bazat e pastra fetare.”
Xhemijeti si përfaqësim autokton
Nëse tashmë jemi të bindur se indi lidhor i Xhemijetit ishte pikërisht interesat kombëtare shqiptare, na bie të diskutojmë pak edhe për tipin e nacionalizmit shqiptar që e solli kjo organizatë politike, por edhe profilin e saj politik.
Meqë e kemi të qartë profilin atdhetar të Ferhat Dragës, kur kësaj i shtohet edhe fakti se ai u gjend thuaja në të gjitha organizimet e shqiptarëve të kësaj ane, fjala bie më 1937 ishte ndër aktivistët më të zellshëm dhe më të rëndësishëm në zgjedhjet e Bashkësisë Islame në Shkup (kur për herë të parë shqiptarët e morën në dorë atë institucion), që pati rol të madh në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve, në këtë mënyrë arrijmë ta kuptojmë edhe më mirë Xhemijetin. Për një shqiptar të këndejkufirit, e kemi fjalën për kohën e Xhemijetit, të ishe mysliman kjo nënkuptonte të ishe edhe shqiptar dhe ta mbroje identitetin fetar, kjo nënkuptonte ta mbroje edhe identitetin kombëtar. Ta luftoje reformën agrare dhe kolonizimin, si dhe ta luftoje shpërnguljen e shqiptarëve për Turqi, nuk kishte vepër më patriotike në atë kohë. Kjo ishte betejë për ta mbrojtur qenien biologjike, por edhe politike shqiptare. Madje, kundruar kështu, edhe kërkesat e spektrit religjioz, që i shtronte Xhemijeti ishin shumë të rëndësishme në këtë aspekt, sepse përmes tyre qenia jonë mbrohej nga asimilimi. Vetëm duke e kultivuar sentimentin fetar, Xhemijeti arrinte ta ruajë dallimin e shqiptarëve nga serbët dhe të tjerët, që – siç e dimë më vonë me komunizmin, kur u përjashtua feja – u synua të bëhej jo vetëm asimilim politik, por edhe etnik. Këtu mund të kujtojmë se Mbretëria Jugosllave në vitin 1924 kishte hapur në Shkup “Medresenë e Madhe të Mbretit Aleksandar”, që kishte për qëllim krijimin e teologëve të përshtatshëm për pushtetin. Andaj, dijetarët myslimanë të kohës u angazhuan me medrese private, që ta mbrojnë identitetin e tyre nga këto invazione.
Krejt kjo e bën projektin politik të Xhemijetit një projekt që ishte edhe autokton, por edhe autentik. Së pari ishte autokton, sepse u krijua nga brumi etnik shqiptar, që ishte kalitur ndër vite në lëvizjen kombëtare shqiptare, duke dhënë prova serioze, ndërsa ishte autentik, sepse kishte gjetur modelin e përfaqësimin autentik deri atëherë të paparë në traditën e organizimit politik të shqiptarëve. Prandaj bien në ujë të gjitha interpretimet që Xhemijetin duan ta vendosin në kontekste që ia kontestojnë përpjekjen për mbrojtjen e qenies shqiptare të këndejkufirit. Bile, nëse e shtyjmë më tej këtë analizë, do të kishim thënë se Xhemijeti është një vazhdimësi e frymës nacionaliste të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe, madje, këtu erdhi në shprehje nacionalizmi shqiptar tipik për këto rrethana, që – për fat të keq – do të shtypej me ardhjen e komunizmit. E vërteta është se Xhemijeti, përveç që ishte organizatë politike me identitet islam, që arrinte të artikulonte edhe kërkesa kombëtare, ishte njëherazi edhe organizatë e borgjezisë shqiptare (nëse mund të quhej ashtu kasta e bejlerëve shqiptarë të asaj kohe), si edhe organizatë antikomuniste. Dhe, këtu mbase zë fill edhe animoziteti që ka pasur historiografia shqiptare, deri vonë e dominuar nga kjo mendësi, që Xhemijetin e ka përjashtuar nga lëvizjet kombëtare shqiptare.
Por, në kohën tonë, kur gjërat kanë marrë trajtë tjetër, kur kërkohet deideologjizim i shkencës dhe i mendimit historiografik, është detyrim i studiuesve që të gjitha ngjarjet dhe figurat historike të trajtohen ashtu si kanë qenë dhe pa paragjykime. Vetëm kështu, në fakt, krijohet edhe hallka e organizimit tonë politik si komb dhe, pavarësisht se ndonjëherë nuk do të na pëlqejë, e vërteta duhet të thuhet patjetër. Është e qartë se komunizmi deshi ta prodhojë njeriun e ri dhe të thotë se me komunizmin fillon historia, por në kohën e integrimeve europiane është e rëndësishme që ne të dëshmojmë si komb se qysh në fillim të shekullit XX ne kemi pasur organizata dhe aktivitete politike, që e kanë profilizuar identitetin politik të shqiptarëve të kësaj treve, pra të Kosovës, Maqedonisë së sotme dhe Luginës së Preshevës. Dikujt mund të mos i pëlqejnë edhe lëvizjet e majta, si dhe periudha komuniste, por e vërteta është se shqiptarët më shumë se gjysmë shekulli besuan dhe u angazhuan në kuadër të asaj fryme dhe asaj ideologjie, madje duke u shtypur dhe i shpallë reaksionare e tradhtare të gjitha organizatat e tjera politike.
Nëse e vështrojmë edhe bashkëpunimin e Ferhat Dragës me dijetarët myslimanë të kohës, si Ataullah efendi Kurtishi[25], që kishte dhënë verdik fetar (fetfa) se “është haram të shpërngulesh në Turqi”, një kushtrim që ishte ana tjetër e medaljes së angazhimit të Xhemijetit për pengimin e shpërnguljes, kompletohet mozaiku i aktiviteteve shoqërore publike e politike të shqiptarëve mes dy luftërave botërore.
Kështu figura e Ferhat Dragës, e një njeriu të edukuar në shkolla perëndimore, me identitet të pakontestuar kombëtar e fetar, që kishte marrëdhënie të mira edhe me shtetet perëndimore, por edhe me Shtetin Shqiptar, si dhe me Turqinë e kohës (bashkëpunoi me ta për ta penguar shpërnguljen e shqiptarëve), në një mënyrë është personifikimi i saktë i nacionalizmit tipik i shqiptarëve që mbeten jashtë Shqipërisë Londineze, që mund të shërbejë edhe sot si shembull për orientimin politik të shqiptarëve të Maqedonisë dhe më gjerë.
Xhemijeti si e djathtë konservatore
Edhe pse është vështirë të flitet për organizata të profilizuara politike në aspekt ideologjik, ashtu siç trajtohen partitë politike në Europë sot, aq më shumë që kushtet sociale që e kanë prodhuar të majtën dhe të djathtën në Europë nuk kanë qenë as për së afërmi të ngjashme me ato në kontekstin shqiptar, megjithatë nëse tërhiqen paralele mund të konstatohet se Xhemijeti, në terma politikë europianë, ishte një model i partive të djathta konservatore. Natyrisht, kjo nuk ishte diçka e përpunuar në aspektin teorik, sidomos kur kihet parasysh se Xhemijeti u formua si “ndihmë e shpejtë” për ta mbrojtur qenien tonë etnike dhe politike, por shikuar në programin e saj, mund të dalim edhe në përfundime të tilla.
Xhemijeti angazhohej për pronën private, ishte kundër të majtës komuniste, angazhohej për të drejta fetare dhe kombëtare, e mbronte fuqinë e bejlerëve (në terma europianë ajo mund të ishte një borgjezi), kujdesej për familjen, ndërsa ne sot e dimë se partitë politike europiane që i përkrahin këto vlera janë të spektrit të djathtë konservator.
E përmendëm këtë jo vetëm për ta legjitimuar profilin politik të Xhemijetit dhe për të vënë paralele me partitë moderne politike, por edhe për të theksuar se mbase ky profilizim, e jo identiteti i theksuar fetar, ka qenë arsyeja që historiografia e majtë e ka parë me sy negativ këtë organizatë. Siç theksuam më sipër, duke e konsideruar veten pioniere të organizimit politik dhe pikënisje të historisë, Partia Komuniste (qoftë ajo në Shqipëri ose në Jugosllavi) nuk ka dashur të pranojë se organizimi politik i shqiptarëve fillon pikërisht me të djathtën, sepse – bazuar në këto vlera – shqiptarët, veçanërisht në atë kohë, ishin konservatorë dhe e majta ishte një mish i huaj që u imponua në trupin e tyre. Ndoshta për këtë arsye edhe dështoi.
Sidoqoftë, edhe organizatat e tjera politike, që vijuan deri në prag të LDB-së dhe gjatë saj, si organizata e studentëve shqiptarë “Besa” ose Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (e njohur si NDSH), por edhe “Balli Kombëtar”, të personifikuara nga personalitetet si Shaip Kamberi, Azem Morana, Mulla Idriz Gjilani etj., janë fryma e njëjtë, natyrisht në trajta të tjera, e asaj që ishte Xhemijeti në vitet 1919-1925.
Përtej gjithë kësaj që u shtrua, edhe përkundër paragjykimeve dhe stereotipave, mund të themi se është bërë detyrim shkencor i studentëve dhe studiuesve të shkencave politike të universiteteve shqiptare që t’i njohin të gjitha hallkat e organizimit politik të shqiptarëve, sepse vetëm ashtu janë objektivë si studiues, por edhe vetëm ashtu kombi shqiptar është i plotë në planin e tij politik.
Burimet:
- Asani Skender, Veprimtaria politike e organizatës politike Xhemijetit, Logos-A, Shkup, 2017
- Asani Skender, Dokumente për veprimtarinë politike të Xhemijetit, Logos-A, Shkup, 2017
- Bislimi Taxhudin, Medreseja “Medah”e Ataullah efendiut dhe nxënësit e saj, Shkup, 2012
- Dervishi Nebi, Hajdin Draga – pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës, ITSHKSH, Shkup, 2015
- Dupre Ben, 50 ide politike që duhet t’i dijë çdo njeri, Plejad, Tiranë
- Krasniqi Milazim, Nacionalizmi shqiptar, SHB “Logos-A”, Shkup, 2014
- Lita Qerim, Masat e dhunshme në Mexhlisin e Ulemasë së Shkupit, revista “Shenja” nr. 82, Shkup, shkurt 2018.
- Tema Malvina, Politika dhe ideologjia, UETPRESS, Tiranë, 2017
1 Ky tekst është kumtesë e lexuar në konferencën shkencore ”Organizata Xhemijeti dhe rezistenca e saj kundër kolonizimit, e organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe SHB “Logos-A” në Shkup më 17 dhjetor 2017, ndërsa është botuar në vëllimin SCUPI nr. 20, 2018, ITSHKSH, Shkup, fq. 158-169
[2] Skender Asani, Veprimtaria organizatës politike Xhemijeti në Trevat Lindore (1919-1925), Logos-A, Shkup, 2017, fq. 14.15. Sipas tij, në klubin “Bashkimi” bënte pjesë edhe Nexhib Draga, që pastaj do të ishte themelues edhe i Xhemijetit.
[3] Për këtë shih: Milazim Krasniqit, Nacionalizmi shqiptar, SHB “Logos-A” – Shkup, 2014.
[4] Skender Asani, Veprimtaria, fq. 51
[5] Po aty, fq. 67
[6] Po aty, fq. 94
[7] Po aty, fq. 51-52
[8] Po aty, fq. 78
[9] Po aty, fq. 93
[10] Skender Asani, Dokumente për veprimtarinë politike te Xhemijetit, Logos-A, Shkup, 2017, fq. 35
[11] S. Asani, Veprimtaria e…., fq. 95.
[12] Shih: Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë dhe ligjet për përdorimin e gjuhëve.
[13] Shih: Nebi Dervishi, Hajdin Draga – pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës, ITSHKSH, Shkup, 2015, fq. 18
[14] Po aty.
[15] Shih: Skender Asani, Veprimtaria politike…., fq. 164.
[16] Skender Asani, Dokumente….., fq. 132.
[17] Случај г. Ферхад бег Драге, “Наша Стара Србија“, бр.26, Скопље, дт.04.02.1925, 2. (Cituar sipas Skender Asani, Veprimatria politike…., fq. 89)
[18] Skender Asani, Dokumente…., fq. 190
[19] Skender Asani, Veprimtaria…, fq. 89.
[20] Dokumente…., fq. 252.
[21] Skender Asani në monografinë kushtuar Xhemijetit shkruan se Xhemijeti i fitoi 14 deputetë. Shih: S. Asani, Veprimtaria…., fq. 8.
[22] Po aty, fq 70.
[23] Po aty, fq. 257
[24] Shih: Qerim Lita, Masat e dhunshme në Mexhlisin e Ulemasë së Shkupit, SHENJA nr. 82, Shkup, fq. 79-83
[25] Shih: Taxhudin Bislimi, Medreseja “Medah”e Ataullah efendiut dhe nxënësit e saj, Shkup, 2012
[26] Skender Asani, Dokumente…., fq. 252
[27] Shih: Malvina Tema, Politika dhe ideologjia, UETPRESS, Tiranë, 2017, fq. 28-35
[28] Shih: Ben Dupre, 50 ide politike që duhet t’i dijë çdo njeri, Plejad, Tiranë, 2012, fq.60-63