Kovaçevski: Është reale të hyjmë në BE në vitin 2030

Procesi i skriningut për inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian pritet të përfundojë për 14 muaj, ndërsa sipas ritmit me të cilin po punohet, është reale që anëtarësimi në Union do të jetë në vitin 2030, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistën për “Zërin e Amerikës”.

Kryeministri theksoi se qasja e Qeverisë ndaj fillimit të negociatave është shumë serioze – është formuar struktura e negociatave, në negociata është përfshirë edhe komuniteti akademik, sektori joqeveritar, komuniteti i biznesit.

“Ne për momentin kemi harmonizuar 45 për qind të legjislacionit tonë me atë evropian dhe me fillimin e negociatave shumë seriozisht iu qasëm kësaj teme, tashmë kemi formuar një strukturë negociuese që u zyrtarizua nga ana e Qeverisë. Kemi emëruar një kryenegociator, që është zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane/Kryekëshilltar i ekipit negociator që është ish-kryenegociator dhe përfaqësues i përhershëm i Republikës së Kroacisë, që do të thotë se kemi sjellë një përvojë të rëndësishme. Në negociata janë përfshirë edhe komuniteti akademik, sektori joqeveritar, komuniteti i biznesit etj., potencoi Kovaçevski.

Kryeministri theksoi se Maqedonia e Veriut është shteti që integrohet më shpejt në NATO dhe shtoi se në vend do të aktivizohen të gjitha forcat progresive të cilat janë për anëtarësim në BE.

“Ne gjithashtu ishim optimistë gjatë hamonizimit të plotë pas hyrjes në NATO dhe ishim shteti i cili më shpejt e bëri integrimin në strukturat e NATO-s nga të gjithë ata që paraprakisht iu bashkuan NATO-s. Prandaj jam një optimist real se deri në vitin 2030 mund të bëhemi anëtarë të BE-së, duke përfshirë edhe faktin që planifikojmë t’i aktivizojmë të gjitha forcat progresive në shtet të cilat janë për anëtarësim në BE, theksoi Kovaçevski për “Zërin e Amerikës”.

Lidhur me krizën energjetike, Kovaçevski edhe një herë përsëriti se dimri i ardhshëm do të jetë më i vështiri që nga Lufta e Dytë Botërore dhe theksoi se Qeveria është duke punuar intensivisht në gjetjen e zgjidhjeve për mbrojtjen e nevojave themelore të qytetarëve. Theksoi se janë realizuar kontakte me Serbinë, Bullgarinë dhe Greqinë për furnizimin e energjisë elektrike për ekonominë dhe për lëndë të parë për prodhim shtesë të energjisë elektrike për amvisëritë.

“E kemi rritur edhe prodhimin e energjisë elektrike në kapacitetet shtetërore REK Manastir, Osllomej dhe TEC Negotinë. Me këtë e sigurojmë energji elektrike për qytetarët dhe konsumatorët e vegjël. Rreth 600.000 amvisëri dhe 70.000 kompani të vogla marrin 80 për qind energji elektrike të subvencionuar – që do të thotë se nëse nuk do të ishte subvencionimi nga shteti, ata do të paguanin pesë herë fatura më larta të energjisë. Ajo që po bëjmë për momentin është që të sigurojnë energji elektrike përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta me shtetet e tjera për ekonominë, gjegjësisht për konsumatorët e mëdhenj në tregun e liberalizuar, duke pasur parasysh atë se çmimet që për momentin janë në bursat botërore të energjisë, nuk janë të përshtatshme për ekonominë e Maqedonisë së Veriut, megjithatë nuk janë të përshtatshme për asnjë ekonomi tjetër në rajon dhe Evropë. Do të vazhdojmë në atë luftë për sigurimin e energjensave”, tha kryetari i Qeverisë.