Faturat e larta të rrymës rrezikojnë punën e hoteleve

Kriza energjetike ka goditur rëndë sektorin e gastronomisë në Maqedoninë e Veriut, në veçanti qytetet turistike në Ohër dhe Strugë.

Faturat e larta të energjisë elektrike në dy muajt e fundit e kanë vënë në pikëpyetje funksionimin e tyre për shkak të pamundësisë për të shlyer detyrimet ndaj shtetit, por edhe ndaj punonjësve, thonë gastronomët.

Rritja e çmimit të faturave, sipas pronarëve të disa hoteleve, ka çuar në rritjen e çmimeve të shërbimeve, por në anën tjetër kjo ka ulur edhe numrin e vizitorëve.

“Fatura e muajit gusht në krahasim me ato të dy muajve më parë, është shumë herë më e lartë. Në qershor dhe korrik kemi paguar nga rreth 100 mijë denarë [1.500 euro], ndërsa për muajin gusht fatura ka arritur në 300 mijë denarë [5.000 euro]. Veç kësaj, kemi rritje të madhe deri në 40 për qind të [çmimeve] produkteve me të cilat furnizohemi. Kjo ka bërë që ne të detyrohemi të bëjmë rritjen e çmimit të shërbimeve tona, që në masë të madhe po reflektohet në veprimtarinë tonë, pasi kishim ulje të madhe të numrit të vizitoreve”, thotë Musa Rashid, pronar i një hoteli në Strugë.

Me fatura të larta është përballur edhe Ana Mitreska, menaxhere në një hotel tjetër në Ohër.

“Në korrik fatura e energjisë elektrike na erdhi më shumë se 5.000 euro, apo gati tri herë më e lartë se ajo në muajin qershor. Pavarësisht rritjes së faturave, ne nuk kemi bërë rritjen e çmimeve, por gjendja është rënduar shumë dhe nëse nuk marrim ndonjë ndihmë, ne do të jemi të detyruar ta lirojmë nga puna stafin pasi do të jetë e pamundur t’i bëjmë pagesat për 40 të punësuarit në këtë hotel”, thotë Mitreska.

Në sektorin e gastronomisë, në qytetet turistike Strugë dhe Ohër para pandemisë ishin të angazhuar rreth 2.000 persona, por kriza ekonomike e ka ulur ndjeshëm këtë numër pasi shumë prej tyre janë larguar nga vendi, në kërkim të një vendi pune më të mirë, kryesisht në Kroaci.

Edhe Rashidi thotë se situata është e papërballueshme dhe në rast të përkeqësimit të mëtejmë, do t’ia vënë çelësin hotelit.

“Ka shumë gjasa që t’ia vëmë çelësin objektit. Pra, nëse vazhdon kjo rritje e çmimeve, do të jemi të detyruar ta ndërpresim veprimtarinë tonë. Thjesht, nuk do të mund t’ia dalim me një rritje të tillë”, thotë ai.

Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike, thotë se janë në kontakt me Qeverinë për t’i ndihmuar kompanitë, të cilat, sipas tij, duhet të përgatiten për pasoja edhe më të mëdha për shkak përkeqësimit të gjendjes së furnizimit me energji elektrike.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo krizë energjetike do të zgjasë të paktën edhe një vit andaj edhe duhet të jemi të gatshëm për përkeqësim të mëtejmë të gjendjes ekonomike. Pasojat që tani po i ndiejmë, vështirë se do të mund t’i kompensojmë dhe duhet të përgatitemi për atë që na pret në periudhën në vijim”, thotë Azeski.

Nga Qeveria maqedonase thonë se janë duke hartuar masa të reja, të cilat do të publikohen deri në fund të muajit e që kryesisht kanë të bëjnë me ndihmën për kompanitë për t’i përballuar çmimet e larta të energjisë elektrike.

Deri më tani, shteti ka ulur vetëm marzhën në 10 për qind të tregtarëve të energjisë elektrike.

“Elektroekonomia e Maqedonisë së Veriut, bazuar në planin e hartuar për prodhim, do të mbulojë të gjitha nevojat në treg, do të ketë ndihma për ndërmarrje e vogla e që janë rreth 72 mijë në gjithë vendin. Kjo bëhet me qëllim që t’i ruajmë vendet e punës dhe njëkohësisht të mos e dëmtojmë konkurrencën mes tyre. Pakoja e ndihmës për kompanitë do të shpallet deri në fund të muajit”, ka deklaruar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë së Veriut, numri i turistëve në korrik të këtij viti ishte rreth 170 mijë, nga të cilët 54 për qind turistë vendas dhe 46.0 për qind turistë të huaj.

Në periudhën janar- korrik 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i turistëve është rritur për 53.3 për qind.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar numri i turistëve është më i lartë për rreth 30 mijë persona, por më i ulët se në periudhën e para vitit 2020 apo para pandemisë dhe krizës ekonomike kur numri i turistëve në muajt korrik dhe gusht arrinte më shumë se 250 mijë.