Dengu që e shembi devenë përtoke !

Tregohet se një fshatar po kthehej në shtëpi bashkë me devenë e tij. Ai e kishte ngarkuar mirë e mirë devenë, saqë i kishte vënë peshën që zakonisht mbanin tre deve. Deveja e gjorë filloi të lëkundej nga barra e madhe, ndërkohë që njerëzit e kritikonin fshatarin për atë që kishte bërë. Por fshatari as që donte t’ia dijë për fjalët e tyre. Jo vetëm kaq, por diku mori dhe një deng me jonxhë dhe ia hodhi devesë mbi kurriz, duke thënë:”E lehtë është, aq më tepër që është dhe e thatë!”

Por me ta hedhur sipër, deveja u shemb përtokë. Fshatari zgurdulloi sytë dhe tha:”Një deng jonxhë, që i këputi mesin devesë!!!”

Në fakt, dengu i jonxhës së thatë, nuk ishte shkaku që e këputi në mes devenë. Ishte barra tjetër e rëndë ajo që e këputi në mes, duke e shembur përtokë.

Kjo histori, na tregon se edhe deveja e fuqishme që mund të mbajë pesha të rënda, vjen një moment ku edhe një deng i vogël me jonxhë të thatë, e këput në mes. Nuk ishte vetëm dengu i jonxhës së thatë, por ishte ajo barrë e akumuluar kushedi nga ku, që ia theu mesin. “Dengu që këputi devenë në mes” përdoret si thënie e urtë në vendet lindore, për të treguar se kupa është mbushur dhe nuk mban më, një problem sado i vogël mund të çojë në derdhjen e saj.

Mos u çudit nëse një vartës i shpërthen një ditë në fytyrë eprorit të tij, edhe pse ai i kërkoi diçka tepër të thjeshtë. Nuk ishte kërkesa e tij e fundit ajo që e xhindosi vartësin, por një sërë eksperiencash të hidhura të shtrira në kohë. Prandaj, asnjëherë mos i nënvlerësoni gjërat dhe efektin e tyre, sado të vogla qofshin ato. Kij kujdes në komunikimin me njerëzit dhe kapi gjërat, pa pritur që vullkani të shpërthejë. Vullkani më i rrezikshëm, është ai që ka qëndruar për kohë të gjatë në pasivitet, gojëkyçur dhe pa zhurmë. Kur shpërthen, ai bën zhurmë të madhe dhe lë pasoja të paparashikueshme.

Mos u befasoni nga shpërthimi në demonstrata dhe protesta i popujve, për rritjen e çmimit të bukës apo energjisë elektrike. Nuk janë shkaktare këto dy të fundit, por fakti se popullit i ka ardhur shpirti tek fyti nga taksat, papunësia dhe fukarallëku.