Macron: Duhet të bëhemi gati për luftë të gjatë në Ukrainë

Presidenti francez Emmanuel Macron po mbron politikën e tij – atë të vazhdimit të dialogut me Rusinë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës.

Siç raporton France24, ai theksoi se Turqia nuk do të duhej të ishte fuqia e vetme që po negocion me Moskën, dhe se duhet të përgatiten ekipet për negociata.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, me të cilin Macron nuk ka edhe aq raporte të mira, ndërkohë në mënyrë aktive ka luajtur rolin e ndërmjetësuesit, duke u takuar personalisht me Putinin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Kush dëshiron që Turqia të jetë fuqia e vetme botërore që po vazhdon të bisedojë me Rusinë? Puna e diplomatit është të bisedojë me të gjithë, në veçanti me njerëzit me të cilët nuk pajtohemi. Kështu edhe do të vazhdojmë në koordinim me aleatët tanë”, tha Macron gjatë një takimi në pallatin presidencial Elysse.

Macron beson se fuqitë botërore tashmë do të duhej të përgatisnin ekipet negociatore, për t’i dhënë fund konfliktit që po zgjatë tash e gjashtë muaj. Ai gjithashtu theksoi se varet nga Kievi që të vendosë për kohën dhe kushtet.

“Duhet të përgatitemi për luftë të gjatë. Duhet të shmangim eskalimin dhe të përgatitemi për paqe. Përgatitja e paqes nënkupton negociata me të gjitha palët, siç kam vepruar me Rusinë para disa ditësh. Sërish do ta bëjë”, shtoi Macron.

Presidenti francez pretendon se ndihma ushtarake e Perëndimit për Ukrainën përfshirë atë të Francës, i ka mundësuar këtij vendi t’i kundërvihet pushtimit rus – madje shumë më mirë se sa që e kishin parashikuar ekspertët. Njëjtë ka parashikuar edhe Rusia”, tha ndër tjera ai.