SPARTAKU
“Edhe Perandoria Romake, e madhe tashmë pse kish nënshtruar shumë vende dhe frikësuese për shumë të tjerë, u godit, provoi frikëra të mëdha dhe iu desh të kryente përpjekje të mëdha për të shmangur një katastrofë dhe mundur një grup gladiatorësh të arratisur nga shkolla e tyre në Campania, dhe grumbulloi një ushtri të madhe, të drejtuar nga tri gjeneralë, e cila shkatërroi masivisht dhe në mënyrë të pamëshirshme Italinë.
U ngritën nga një bandë e vogël dhe e parëndësishme hajdutësh në mbretëri të frikshme për forcat dhe funksionarët aq të fuqishëm të romakëve, këputën zinxhirët e gjendjes së tyre skllavërore, u arratisën, u zhdukën, krijuan një ushtri të qëndrueshme dhe me shumë vlerë; duke ndjekur drejtimin dhe urdhrat e mbretërve të tyre, u bënë të tmerrshëm për të gjithë fuqinë romake dhe të pamposhtur për shumë nga gjeneralët e saj; shumë pushtuan, jashtëzakonisht shumë fitore arritën, u zdërhallën sipas qejfit të tyre, kënaqën stimujt e pasioneve të tyre dhe deri në momentin e humbjes, e cila u sigurua me shumë vështirësi, jetuan në lartësinë e mbretërve”.
Kështu, Shën Agostini e përshkuan dhe e përmbledh të gjithë ndodhinë e Spartakut dhe të revoltës së skllevërve, që nga viti 73 deri në vitin 71 B.C., i interesoi të gjithë gadishullit italik dhe vuri në provë të vështirë makinën e kolauduar luftarake romake. Fjalë të mbushura me përbuzje, që tentojnë t’i paraqesin rebelët si një turmë e uritur për shkatërrime dhe evokuese të një klime terrori dhe rreziku absolut. Mbi të gjitha, janë konfirmimi i faktit sesi historia e Spartakut dhe ajo e rebelëve që e ndoqën, qe tashmë e pasur me elementë mitikë. Miti i pavdekshëm i Spartakut lindi gjatë zhvillimit të vetë evenimenteve, në valën e frikërave dhe të propagandës së oligarkisë romake: gladiatori trak u bë Hanibali i ri, i gatshëm të marshojë mbi Romë dhe një strateg gjenial, ndërsa pretori Kras u paraqit si Skipioni i ri, shpëtimtari i ri. Për “pushtetin”, Spartaku u bë simboli i armikut publik, i subversionit të rendit të krijuar dhe i luftës së brendshme. Në fazat e mëpasme dhe kontradiktore të Romës republikane, emri i tij bëhet një fyerje për të damkosur me turp kundërshtarin politik. Mjafton vetëm një shembull i vet: Ciceroni tek “Filipiket” e tij e quan kreun popullor Antonio si “Spartak” dhe “gladiator”. Por forca e mitit të Spartakut i detyrohet aktualitetit rezistues të luftës për liri, kundër çdo lloj gjendje shtypjeje dhe skllavërimi. Është miti i shpëtimit nga skllavëria, është simboli i vullnetit të të shtypurit për të këputur zinxhirët. Në këtë kuptim, figura e tij lidhet me luftën e lëvizjes socialiste, të proletariatit modern kundër zinxhirëve metaforikë të kapitalit. E demonstrojnë këtë fjalët e Karl Marksit, që në një letër të vitit 1861 për Engelsin, e quan gladiatorin si “njeriun më të zot që i ka zënë syri në të gjithë historinë e lashtësisë. Gjeneral i madh (jo një Garibald), karakter fisnik, realitet përfaqësues i proletariatit të lashtë”, dhe ato të Leninit i cili, duke iu referuar revoltës, flet për “luftëra të drejta, luftëra që nuk do të ishte e ligjshme të dënoheshin”. Pastaj dhe emri “Lidhja e Spartakut” dhënë lëvizjes revolucionare gjermane të drejtuar nga Karl Libknehti dhe Roza Luksemburgu. Përhapja e mitit të lëvizjes punëtore, komuniste dhe socialiste, dëshmohet edhe nga episode të “vegjël”: në Itali, gjatë Luftës së Dytë Botërore, fletushkat e para komuniste që duhej të riaktivizonin luftën antifashiste, dolën në Milano dhe Torino me emrat “Thirrja e Spartakut” e “Letrat e Spartakut”. Pastaj, nuk ka dyshim se ato që e kanë forcuar këtë gjë, kanë qenë lajmet që na kanë arritur ne për sjellje specifike të Spartakut, që paraqisnin një drejtim të ndryshëm të shoqërisë: ndalimi për dyqanxhinjtë që të fusnin ar e argjend dhe të tijve për t”i poseduar, si dhe ndarja në pjesë të barabarta të plaçkës (Apiani). Të shkruash historinë e Spartakut dhe të rebelimit të skllevërve, nënkupton që të shkosh në rrënjët e një miti, bile më shumë, të një simboli, një nga më të lashtët dhe më jetëgjatët të luftës kundër shtypjes. Mbetet hidhërimi i lidhur me pamundësinë, me gjendjen aktuale të kërkimeve dhe të burimeve, për ta njohur realisht rezultatin e ndodhisë, për të dalluar histori dhe mitologji, fakte dhe propagandë.
Pakënaqësia sociale dhe skllevërit. Ajo e Spartakut qe vetëm e fundit, sigurisht më imponentja e revoltave të skllevërve që prekën Romën. Të shumta janë në fakt ato që na ka përcjellë historiografia latine, por, për qëllimet e diskutimit tonë, duhet të përqëndrohemi mbi periudhën e përfshirë midis viteve 135 dhe 73 B.C., një periudhë që ka parë tri revolta të mëdha të skllevërve: dy të parat në Siçili, të gjitha në gjendje që të vënë në një farë mënyre në rrezik sigurinë republikane. Është kjo periudha e “sëmundjes së madhe” të Romës, e krizës së thellë të sistemit republikan, e hapur me tribunatin e Tiber Grakut dhe e përfunduar, pas një serie mbresëlënëse luftërash civile, me vendosjen e Principatit në fillim të shekullit të I-rë A.D. Bëhet fjalë për një sëmundje që dobëson teksturën e lodhur të një shoqërie të dalë fitimtare nga një seri e gjatë luftërash pushtuese. Me shkatërrimin e Kartagjenës dhe Korintit, të ndodhura të dyja në vitin 146 B.C., Roma u bë superfuqia e padiskutueshme e Mesdheut, por zgjerimi territorial nuk u shoqërua nga një shpërndarje e barabartë e pasurive. Të mundur nuk qenë vetëm popujt armiq, por edhe bujqit e vegjël e të mesëm romakë që përbënin skeletin e legjioneve fitimtare.
Fitimet më të shumta frynë xhepat e “ordo senatorius”, të atij numri të kufizuar familjesh që ndanin postet publike dhe të sapolindurit “ordo equester”, të përbërë nga sipërmarrës pinjoj të shtresës senatoriale që u lëshuan në trafikun fitimprurës tregtar dhe në shfrytëzimin e provincave të reja. Kultivues të mesëm e të vegjël ndodheshin në pragun e shkatërrimit dhe të katandisur në rangun e “proletarit”, domethënë qytetarë romakë, pasuria e vetme e të cilëve ishin fëmijët. Të privuar nga kapitale për t’u bërë përmirësime terreneve dhe të shtypur nga konkurrenca e latifondeve të mëdha dhe të “villae senatorie”, u ndodhën përballë zgjidhjesh si ajo e shitjes me kosto të ulët të pronave, të punës si punëtorë krahu apo të migrimit në qytete për të shtyrë ditën, duke fryrë radhët e një mase politikisht të manovrueshme, të shqetësuar, të rrezikshme dhe për t’u mbajtur kryeulët me sistemin e drithrave. Përgjigjja e klasës drejtuese senatoriale qe armiqësia absolute ndaj çdo projekti, si grakian, për të shpërndarë pjesë të zgjerimeve të gjera të “ager publicus”. Pozicion i natyrshëm po të mendohet se familjeve fisnike u qenë caktuar porcione të mëdha (“villae” e “latifundia”) me koncesion, me kohë të papërcaktuar apo pas pagime tarifash qesharake.
Në këtë optikë duket i ndritshëm konsiderimi i hidhur i historianit dhe filologut Momsen: “Tashmë mund të ulërihej me zë të lartë se në forumin e kryeqytetit kafshët kishin kafazët e tyre, por qytetarëve nuk u kish mbetur gjë tjetër, përveç ajrit dhe diellit, dhe ata që quheshin zotërinjtë e botës nuk posedonin më shumë se një thërrime”. Kështu që është e vështirë të habitesh për faktin që në revoltat e skllevërve të mernin pjesë edhe njerëz të lirë, që nuk kishin asgjë për të humbur, si bujqit e vegjël, barinjtë dhe punëtorët e krahut të varfëruar dhe të rënduar nga borxhet. Akoma më e vështirë ishte gjendja e pjesës më të madhe të skllevërve të ardhur në Romë dhe Itali si pasojë e ekspansionit territorial: në fakt, midis shekullit të II-të dhe të I-rë B.C. mund të flitet për ardhjen në Urbe të rreth 1 milion skllevërve. Vetëm një pjesë përbëhej nga të burgosur lufte, kurse pjesa më e madhe ishte rezultat i një rrjeti të gjerë dhe të degëzuar tregtar. Të ardhur nga plaçkitje dhe gjueti ndaj njeriut, në kuptimin e vërtetë të fjalës, të kryera nga piratë kretas dhe cilikë, sidomos në Azinë e jashtme, në konkurrencë me kontraktorë romakë që i dërgonin në shtetet kliente, bliheshin nga afaristë në qendra të specializuara.
Midis këtyre, më e “shquara” ishte ajo e Delos, në të cilin, sipas dëshmisë së Strabonit, numëroheshin deri në 10000 shitje në ditë. Përveç të drejtave të lidhura me shtetësinë romake, të cilën e gëzonin të gjithë romakët, pavarësisht situatës së tyre ekonomike, atyre u mohohej përkatësia e plotë në njerëzim. Në valën e leksionit aristotelian konsideroheshin “makina njerëzore”, “instrumente vokalë” dhe, në përgjithësi, instrumente veprimi për padronin, të dobishëm deri kur qenë në gjendje të prodhonin. Ndoshta duke e ekzagjeruar në krahasim, Momsen kish hapur një dritare mbi një botë të mbajtur të fshehtë nga kultura dhe nga pushteti romak: “Dëmet e pafundme dhe mizerjet e rënda, që midis proletariateve na vrasin sytë, mund t’i kuptojë vetëm kush guxon ta shtyjë shikimin në një humnerë të ngjashme. Është tejet e mundur që krahasuar me ato të skllevërve romakë, vuajtjet e të gjithë zezakëve së bashku janë asgjë”. Pavarësisht një minorance të përdorur në aktivitete industriale apo tregtare për llogari të padronëve të tyre, me punë që ne mund t’i quajmë prej “profesionistësh”, në pjesën më të madhe skllevërit përdoreshin si krah pune në latifondet dhe në ndërmarrjet e mëdha bujqësore, prodhimi i të cilëve ishte i orientuar nga tregu, nën sytë vigjilentë të “vilikëve”, skllevër që gëzonin besimin e padronëve.
Të privuar nga çdo liri dhe të nënshtruar ndaj vullnetit absolut dhe të pakushtëzuar të padronit (“dominicia potestas”), qenë subjekte ndaj një regjimi terrori në kuptimin e vërtetë të fjalës, në të cilin tortura dhe damkosja me zjarr qenë praktika të zakonshme. Në Romë operonin me qetësi sipërmarrje që me ujdinë e padronëve merrnin me tender përgatitjen dhe ekzekutimin e dënimeve për t’iu shkaktuar skllevërve më kryengritës. Jo më e pakët ishte gjendja e gladiatorëve, megjithëse jo të gjithë skllevër, të cilët, nëpërmjet ritit të “auctoramentum”-it, viheshin nën autoritetin absolut të padronit, duke u detyruar që të digjeshin, të rriheshin, të lidheshin me zinxhirë pa asnjë mundësi për të refuzuar që të sfidoheshin në cirk. Domethënë, panorama është ajo e një gjendjeje shëmtimi fizik dhe moral, ndaj të cilës alternativat e vetme të mundshme mund të kufizoheshin tek vetëvrasja apo rebelimi i dëshpëruar. Në këtë kuptim, rebelimet skllavërore nuk duhen lexuar si të finalizuara për zhdukjen e institutit të skllavërisë, objektiv që askush nuk e ndoqi, por si përgjigje ndaj keqtrajtimeve dhe poshtërimeve të pësuara, si dhe kërkimit të një lirie të humbur. Në shpirtin e rebelëve, më parë njerëz të kompletuar, ishte e gjallë krenaria kombëtare dhe dashuria ndaj atdheut të humbur. Mjafton të mendosh për sjelljen e iberëve të Numancisë, qytet rebel dhe krenar i rrafshuar me tokën nga romakët në vitin 133 B.C., të cilët, pasi u burgosën, preferuan të vriteshin njëri me tjetrin, boll që të mos e shikonin veten të skllavëruar. Sesa është arritur ky objektiv, është përmbledhja e Diodor Siçilianit: “Kushdo që ka pasur fatin e të qenit në gjendje të ulët sociale, ia lë hapin me dëshirë atij që ka më shumë famë dhe fat, por, nëqoftëse nuk i njihet as njerëzillëku i duhur, atëhere bëhet armik i atij që e komandon në mënyrë tejet të dhunshme”. Përpara asaj të Spartakut, dy revolta skllevërish, të dyja të shpërthyera në Siçili në harkun e 30 vjetëve, e vunë në alarm pushtetin romak. Siçilia, e marrë Kartagjenës nga Roma në vitin 241 B.C. me përfundimin e luftës së parë punike, falë pjellorisë së saj, i siguronte Republikës një furnizim të konsiderueshëm vjetor drithrash dhe një të ardhur të madhe fiskale, të siguruar nga babëzia e “shoqërisë së republikanëve”.
Në këtë kuptim, prania romake bënte të ndjehej e gjithë pesha e saj mbi provincën. Në bazë të zinxhirit prodhues qëndronte një krah pune i shumtë dhe në rritje servil i përdorur në miniera dhe sidomos në fshatra: “E gjithë Siçilia, – tregon Diodor Siçiliani, – qe aq e përmbytur nga një masë skllevërish aq e madhe, sa që kush e dëgjonte numrin e stërmadh të tyre nuk u besonte veshëve”. Skllevërit, të lindur si njerëz të lirë, vinin kryesisht nga zona të Mesdheut lindor, të civilizuara dhe me traditë kulturore helenike si Siria. Të shtrënguar të jetonin në situata të këqija, qenë të autorizuar në heshtje nga padronët që të armatoseshin e t’i kushtoheshin banditizmit dhe hajdutllëkut ndaj popullsisë vendase. Me pak fjalë, një lloj milicie private e rrezikshme dhe vështirë për t’u kontrolluar. Keqtrajtimet janë në origjinën e revoltës së parë të shpërthyer në vitin 135 B.C. Ata që u rebeluan ndaj mizorisë së padronit të tyre, një farë Damofil, i përdorur për të damkosur me shenja hekuri trupat, qenë 400 skllevër të mirë që nën urdhrin e sirianit Euno, sulmuan dhe plaçkitën Enën. Në qytet u mblodh një “asamble kushtetuese” në kuptimin e vërtetë të fjalës, e cila shpalli Euon si mbret me emrin Antiok, emër tipik i sovranëve sirianë të dinastisë së seleucidëve. Qe hapi i parë për krijimin e një pushteti të pavarur mbi ishull, të cilin do ta pasojë emërimi i një kryeministri, prerja e një monedhe, ndërtimi i një ushtrie të mirarmatosur dhe masat e para për ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e pasurive dhe personave (kufizim i plaçkitjeve). Por në Romë sigurisht që nuk mund të tolerohej humbja e kontrollit mbi provincën shumë të pasur. U deshën katër aksione të mira ushtarake për t’i dhënë fund rebelimit: pas humbjeve të ushtrive të komanduara nga Luc Ipseu dhe më pas nga konsulli Kai Fulv Flaku, fitorja vendimtare erdhi vetëm në vitin 132 B.C. me pushtimin e Enas nga ana e konsullit Publio Rupilios. “Mbreti” Euno u plas në burg për të përfunduar i ngrënë gjallë nga parazitët. Qenë të shumta shkaqet shpërthyese të revoltës së shpërthyer në vitin 104 B.C., vit në të cilin konsulli Mario i kërkoi Mbretit të Bitinisë që të dërgonte kontigjente ushtarake për të përballuar luftën kundër kimbërve, të cilët një vit më parë kishin asgjësuar dy legjione romake në Arauzio (Oranzh).
Përgjigjja e sovranit aziatik qe se nuk mund ta plotësonte kërkesën, pasi pjesa më e madhe e njerëzve të aftë për luftë qenë pakësuar dhe ndodhej në gjendje skllavërie në latifondet e provincave romake. Siç e kemi parë, një praktikë të thuash pak e toleruar nga Roma. Por, përballë rrezikut, Senati kësaj radhe urdhëroi një hetim për t’i deklaruar të lirë personat viktima të një padrejtësie të tillë. Megjithatë, pas lirimeve të para të skllevërve bitinas, operacioni u ndërpre përballë protestave të pronarëve të fuqishëm dhe me influencë që i kishin blerë në mënyrë të ligjshme. Qe dëshpërimi për lirimin e munguar që i shtyu skllevërit në revoltë. U mblodhën në Sirakuzë për të dhënë besën (“coniuratio”) dhe mbledhur një asamble që të zgjidhte mbretin e saj në personin e Savios, më pas i emëruar Mbreti Trifon, atëherë kur u bashkuan skllevërit rebelë të drejtuar nga ciliku Atenion. Ashtu si në revoltën e mëpasme, u ngrit në këmbë një ushtri me vlerë, e pajisur me 20 mijë këmbësorë dhe 2000 kalorës. Revolta u shtyp në vitin 101 B.C. nga konsulli Manlio Akuilio. Ndërsa Trifoni u vra në luftë, Atenioni dhe të tjerë u dërguan në Romë për të luftuar në cirk kundër egërsirave, por finalja qe një tjetër: siç tregon Diodor Siciliani, të burgosurit “në fakt refuzuan që të luftojnë kundër egërsirave, por u therën njëri me tjetrin mbi altarët publikë”. Në këtë pikë, përpara se të kalohet në revoltën e drejtuar nga Spartaku, duhet të nënvizohen dy fakte të rëndësishme lidhur me dy revoltat siçiliane: se në to morën pjesë punëtorë krahu të lirë, bujq të vegjël të varfër dhe se qëllimi kryesor i rebelëve, të nxitur nga ndjenja të forta kombëtare, nuk ishte abrogimi i skllavërisë, por ai i rifitimit të lirisë së humbur nëpërmjet krijimit të një pushteti të pavarur mbi ishull. Në ndryshim nga skllevërit siçilianë, gladiatorët u rebeluan në vitin 73 B.C. Vinin nga vende jo akoma të futur në orbitën e Romës, si Galia transalpine, Gjermania dhe Thraka. Vende që në atë kohë quheshin “barbare” dhe jo civile”. Nga e fundit e përmendura vinte Spartaku, historia e të cilit përpara rebelimit mbetet e fshehtë në errësirë. Sipas historianëve Apian dhe Floro, përpara se të bëhej gladiator, kish luftuar për ushtrinë romake për të dezertuar më pas. Momsen shton hipotezën se ishte një pinjoll i familjes së Spartakoidëve, të ngjitur në fronin e Thrakës. Me siguri që nuk lindi si skllav. Plutarku, në profilin e kushtuar Krasit, ndalet mbi një episod, nuk dihet se sa real, jashtëzakonisht tregues për madhështinë e ardhshme të thrakut: i sjellë në Romë për t’u shitur, teksa po flinte, një gjarpër iu ngjit në fytyrë dhe e shoqja, profeteshë e “pushtuar nga Dionisi”, deklaroi se i përkëdheluri shfaqte një “forcë të madhe, të frikshme”. Historia ka pastaj për të fjalë lavdëruese: “I pajisur jo vetëm me kurajo të madhe dhe forcë, por edhe me inteligjencë dhe arsimim më të lartë nga sa mund të pritej nga një person në gjendjen e tij: domethënë, më shumë helenike”.
I lindur nga një episod me rëndësi modeste, rebelimi i skllevërve të drejtuar nga Spartaku, fillimisht i nënvlerësuar, u imponua pak e nga pak, me “ecuri aluvionale”, aq sa ta detyrojë ushtrinë romake në tri vjet luftë të ashpër në pjesën më të madhe të gadishullit. I paraqitur nga propaganda romake si një Hanibal i ri, Spartakut, ndryshe nga luftëtari kartagjenas që iu desh që të përballonte shumë divizione, edhe kombëtare, që përshkonin fushën e tij, nuk arriti që të pushtojë në mënyrë të qëndrueshme qytetet në mënyrë që t’i bënte bazë furnizimi dhe riorganizimi. I privuar nga një konceptim i saktë strategjik, iu desh të mbronte lirinë e vet dhe të njerëzve të tij me një luftë bandash, duke përdorur taktikat tipike të guerriljes; beteja e vetme e vërtetë masakruese qe për të dhe për të tijët ajo fatale. Ndërsa Roma ishte në luftë kundër zisë së bukës dhe ushtritë e saj qenë impenjuar në Porto kundër Mitridatit dhe në Spanjë kundër Sertorit, në Kapua, qyteti më i rëndësishëm i Kampanjës, 70 gladiatorë iu rebeluan disiplinës së ashpër të shkollës së Gnej Lentul Batiatos. Ata që i drejtonin qenë tri njerëz: thraku Spartak dhe keltët Krisis dhe Enomao. Etapa e parë e të revoltuarve, të armatosur me instrumente gladiatorësh, thika dhe armë të rrëmbyera patrullave romake, qe Vezuvi i papërmbajtshëm ku pak e nga pak u shfaq personaliteti i Spartakut që u imponua, edhe pse asnjëherë tërësisht ndaj të tjerëve. Nënvlerësimi i rrezikut qe fatal për reagimet e para romake. Propretori Klaud Glabro, duke synuar që t’i rrethonte me 3000 njerëz në pritje përforcimesh të tjera, u kap në befasi nga skllavët dhe u sulmua nga prapa krahëve; u asgjësuan më pas edhe trupat e pretorit Varin, i cili i lëshoi kuturu 4000 trupat e tij. Këto suksese të para i mundësuan Spartakut që të fitojë konsensuse të reja midis skllevërve dhe të dëshpëruarve të zonës dhe të veprojë lirisht në fushën kampane, duke vënë në darë Nolan e Noçeran dhe më pas Turiin dhe Metaponton në Lukani. Plutarku flet për ardhjen e “shumë lopçarëve dhe barinjve të rajonit, njerëz të rinj e të fuqishëm, që u bashkuan me ta”. Në këtë moment, midis luftëtarëve dhe simpatizantëve lokalë mund të flitet për 70 mijë elementë efektivë, për banda të pavarura. Vetë numri, si edhe burimet e ndryshme latine, dëshmojnë për pamundësinë që rebelët të kenë qenë vetëm skllevër. Qe në këtë pikë që Senati mendoi të dërgojë ushtrinë nën drejtimin e konsujve të vitit 72, Xhelio Publikola dhe Kornel Lentul Klodiani. Frika ishte ajo se mos të revoltuarit kalonin nga Kalabria në Siçili dhe të shkaktonin probleme në “grunoren” e Romës. Xhelio i sulmoi rebelët nga jugu, duke mundur 30 mijë njerëzit nën urdhrat e Krasit dhe duke vrarë 20 mijë prej tyre, ndërsa Spartaku arriti që ta shmangë ndeshjen frontale dhe t’u shkaktojë humbje të rënda trupave të Klodianit. Veç kësaj, në marshimin e tij të pandalshëm drejt veriut, mundi pastër Prokonsullin e Galisë Cizalpine, Kasio Lonxhinon. Spartaku, tashmë lider i padiskutueshëm, festoi fitoret duke shtrënguar 3000 të burgosur romakë që të ndesheshin deri në pikën e fundit të gjakut në një sfidë gladiatore përballë gjithë ushtrisë së tij. Për Senatin ishte tashmë alarmi i vërtetë dhe si në të gjitha rastet e rrezikut ekstrem, qe ai i përqëndrimit në vjeshtën e vitit 72 B.C. i të gjithë pushteteve të pakufizuara në personin e Pretorit Marko Licinio Krasit, një aristokrat i pasur që kish luftuar në krah të Silës dhe tashmë ishte i famshëm për brutalitetin e tij: ishte e tij ideja për të risjellë në modë dhjetimet për ruajtjen e disiplinës midis trupave.
I caktuar në postin e Prokonsullit, hodhi në fushë 10 legjione, nga të cilët 6 të rekrutuar personalisht. Spartaku dhe ushtria e tij, në dislokimin në jug, kishin arritur pikën ekstreme të Brucios (Kalabria e sotme), të rrethuar për tri të katërtat nga deti me rrezikun e të rënit seriozisht në grackë dhe ky qe plani i Krasit: me një përpjekje të madhe inxhinierike ndërtoi një rrethim nga deti të përbërë nga një ballkonadë të gjatë prej druri dhe një gërmim të madh (55 kilometra), në mënyrë që t’u mbyllte çdo rrugëdalje dhe furnizimi rebelëve. Për këta, rreziku ishte që të vdisnin me ngadalë nga uria. Tentativat e para të rrugëdaljes u kushtuan jetën 12 mijë ushtarëve, por një mbrëmje, i favorizuar nga mjegulla, Spartaku arriti që ta kalojë me një pjesë të njerëzve të tij dhe të drejtohet për Brindizi. Fatet u përmbysën: kësaj radhe qenë romakët ata që rrezikonin të binin në grackë. Për Senatin ishte vërtet shumë. U vendos që të thirreshin në Itali trupat e ndodhura në Maqedoni, të komanduara nga Marko Terencio Varone Lokulo dhe ato të Pompeut, të impenjuara në Spanjë kundër Sertorios. Por Krasi, armik i betuar i Pompeut, vendosi që të vihej menjëherë në ndjekje të rebelëve dhe siguroi një fitore të rëndësishme kundër detashmenteve rebele të drejtuar nga galët Kasto dhe Xhiniko, të cilët në fund humbën 35 mijë njerëz. Në këtë pikë qe Spartaku, i frikësuar nga një rrethim pas zbarkimit në Brindizi të legjioneve të Lokulos, që mori iniciativën dhe kaloi në sulm. Beteja u zhvillua në një zonë të papërcaktuar midis Lukanisë e Apulias dhe ai që doli fitimtar qe Krasi, i cili vrau 70 mijë rebelë. Pompeut i takon merita që t’i japë fund revoltës, duke masakruar bandat e fundit të të mbijetuarve të hasur në Etruri. Kështu, në pranverën e vitit 71 B.C., për Romën po merrte fund ankthi. Po Spartaku? Sipas Plutarkut, gladiatori thrak vrau kalin e tij përpara se të lëshohej në rrëmujë në kërkim të Krasit. Vrau dy centurionë, por pastaj u rrethua dhe u nënshtrua nga shumë të tjerë. Sipas Apianit, u plagos në kofshë nga një shtizë, por vazhdoi të luftojë në gjunjë deri kur u rrethua. Por trupi i tij nuk u gjet më. 6000 rebelëve, me vendim të Krasit, u takoi kryqëzimi përgjatë rrugës Apia, në pjesën që lidhte Romën me Kapuan. Gjeneralit romak, fitues i një lufte kundër skllevërve dhe të arratisurve, nuk iu dha nderi i triumfit. Edhe në këtë mënyrë, Roma u hiqte dinjitetin rebelëve.
Përgatiti: ARMIN TIRANA – RD