Bekteshi: Nëse OPEC nuk e rrit prodhimin, nafta ende mund të shtrenjtohet e poashtu dhe produktet ushqimore

Komisioni Rregullator i Energjetikës ka vendosur që çmimet e derivateve sërish të shtrenjtohen, si rrjedhojë qytetarët një litër naftë prej mesnatës do ta paguajnë 101.5 denarë, ndërsa një litër benzinë do ta paguajnë 89.5, deri në 92 denarë.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në Click 21 tha se nëse vendet eksportuese të naftës nuk e rrisin prodhimin, gjatë dimrit çmimet e karburanteve mund të vazhdojnë të rriten dhe se si rrjedhojë kjo do të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve tjera në vend.

“Çështja e derivateve ka të bëjë me sasinë e prodhuar të derivateve përkatëse, nëse shtete e OPEC nuk e rrisin prodhimin dhe shtete tjera të cilat kanë mundësi të rrisin prodhimin e derivateve, me siguri se do të ballafaqohemi me rritjen e derivateve gjatë kohës së dimrit. Mund të rritet edhe çmimi i bukës, i vajit? Ajo pastaj është zinxhir për shkak se prodhuesi i bukës ka inpute energjinë elektrike, ka derivatet dhe kështu me radhë. Në atë mënyrë rriten çmime e produkteve. Unë jam më se i bindur se edhe BE edhe shtetet që kanë mundësi që të rrisin prodhimin e naftës, do ta bëjnë po të njëjtën”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Bekteshi në TV21 tha se në nivel global na pret dimër i vështirë, për shkak të gjendjes gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë, pas çka përpos derivateve të naftës, pengesat në furnizimi me gaz të Evropës kanë krijuar krizë energjetike.

“Na pret dimër i vështirë në nivel global, Republika e Maqedonisë së Veriut është pjesë e kontinentit evropian, qytetarët kanë mundësi që pothuajse çdo ditë të ndjekin ndodhitë edhe në shtete më të zhvilluara se Maqedonia e Veriut, siç është Gjermania, Franca, Spanja, ditëve të fundit edhe Zvicra, që është shteti më i pasur bashkë me Norvegjinë në kuadër të kontinentin tonë, ka të bëjë me çështje globale, ka të bëjë me gjeopolitikë në përgjithësi, për shkak se për fat të keq BE në veçanti ka varshmëri të madhe nga furnizimi i gazit natyror prej Rusisë. Përveç çmimit të gazit natyrorë, paralajmërohen që mund të ketë edhe çkyçje totale të shteteve përkatëse, sa i përket furnizimit me gaz natyror, siç ndodhi rasti me Republikën e Bullgarisë. Ka termoelektrana që funksionojnë me gaz natyrorë, të cilat prodhojnë edhe energji termike edhe energji elektrike”, pohoi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Ndryshe, javën e kaluar çmimet e naftës në bursat botërore u rritën për shkak se Organizata e Vendeve Eksportuese të Derivateve të Naftës (OPEC) vendosi të ul prodhimin për ta balancuar ofertën dhe kërkesën.

Arsye tjetër për rritjen e çmimit të karburanteve ishte edhe rënia e rezervave të naftës së papërpunuar në SHBA.

Çmimi i barelit në tregun londinez javën e kaluar u rrit për 4,4 për qind, gjegjësisht në gati 100,1 dollarë.