Vuçiq: Vendimi për targat nis zbatimin nga 1 shtatori

Pesë ditë para hyrjes në fuqi të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet, presidenti serb Aleaksandar Vuçiq është bindur se autoritetet e Kosovës nuk tërhiqen. Vuçiq tha se vendimi për targat do të nis zbatimin më 1 shtator. Ai tha se po insistohet që serbët në veri të mund të hyjnë me dokumente të Serbisë, por se për këtë gjë po pret përgjigje nga zyrtarët evropianë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se më 1 shtator do të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat serbe. Ndërkaq, lidhur me vendimin për dokumentet serbe, ai kërkoi që nga ky vendim të përjashtohen serbët që jetojnë në Kosovë. Vuçiq tha se me Kosovën nuk u arrit zgjidhje kompromisi për këto dy tema.

“Është e qartë se nuk ka marrëveshje për targat, që do të thotë se do të fillojë së zbatuari më 1 shtator. Megjithatë, është një afat prej dy muajsh, kështu që do të shohim”, tha Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Ai tha se Serbia do të pranojë dokumentet e Kosovës, por me një kusht, që ato të kenë një përjashtim:

“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga ana e Prishtinës Kosovës bëhet ekskluzivisht për arsye praktike të lehtësimit të pozitës së qytetarëve dhe mundësimit të lirisë së lëvizjes në përputhje me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që është arritur në dialog më 2011 dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244” e Kombeve të Bashkuara. Ky është një përjashtim që ne do ta aplikojmë gjithkund”, shtoi ai.